2 Janar

Të të shkojë një ditë duke menduar se do shkruash por për këtë të mos e hedhësh as edhe një shkronjë dmth. të kesh medituar, vëzhguar e lexuar tërë ditën. Dhe kjo s’ka si të mos jetë  sa shpresëdhënëse aq edhe dëshpëruese. Sepse oqeani i leximit është i pafundmë dhe në të zhytesh e zhytesh saqë s’din kur do dalësh dhe para së gjithash si do dalësh prej tij.

Është data 2 Janar e vitit 2016 dhe nga dje të gjithë autorët që kanë vdekur në vitin 1945 më s’kanë të drejta autoriale. Që dmth. librat e tyre mund t’i botojë kushdo dhe kurdo.  Ironia e historisë  së njerëzimit- sidomos e kësaj që ne i themi moderne (kushedi çfarë modernizmi do ketë njerëzimi pas 200 a 2000 vitesh!), del në shesh  duke u kapërthurur me faktin e tmerrshëm: autor libri (Mein Kampf) ishte Adolf Hitleri dhe autore libri (Ditari) ishte Anne Frank.

Të dy vdiqën në vitin 1945.

Dhe librat e të dyve prej dje s’kanë më të drejta autoriale.

Nuk më interesojnë debatet për “komentet” që përcjellin botimin e librit të Hitlerit. As grindjet e Fondacionit Anne Frank nëse (s’)ka skaduar afati i të drejtave të tekstit të saj thellësisht tragjik.

I futem një nate të gjatë … nga e cila duhet të dal disi.  Me ndonjë shkronjë që do t’i rezistojë kësaj dite: shterpe.