Fjalëkalimi. Pasword-i. Jetoj në vitin 2016 dhe mendoj për vitet 70… kur jam rritur, vitet 80… kur jam shkolluar… vitet 90 kur kam filluar të jetoj… Dhe di që pasword-ët më së shumti ishin në forma numrash- për të hapur arka të mbyllura. Në ndonjë film, libër, tregim… Fillimi dhe mesi i viteve 90. Kompjuterët. Celularët. Modemët. ISDN-ët. Çdo gjë nga ajo kohë dhe deri më sot është e lidhur me fjalëkalimet. Ngado që shkon të duhet. Sa herë që s’më kujtohet pasword-i: i celularit, email-it, wlan-it, dyqaneve virtuale dhe çka jo tjetër që në këtë çast kur e shkruaj e pyes veten nëse ka njerëz që kanë vetëm një dhe të vetmin fjalëkalim. Edhe për t’u futur në shtëpi, edhe për të paguar me kartat e kreditit edhe për ta hapur celularin. Apo të jenë dikund ca fëmijë të cilët janë duke punuar që njerëzimi sa më shpejt të mos e ketë më këtë brengë. Që përkundër (mos)cenimit të të dhënave personale të mjaftojë një prekje me gisht apo lidhje e kamerës me retinën e syve dhe qenia njerëzore të hyjë në botën e tij tjetër. Të dytën. Virtualen. Pa iu cenuar privatësia.
Përvoja që ne, pak më të moshuarit e kemi bërë, duke jetuar nga telefonët e kompjuterët e “kohës së drurit”- që i bie vitet 90… do të duhej të na bënte bukur të sigurtë që do të vie një kohë dhe një ditë kur fëmijët tanë do t’i vendosin në muzetë e mëdha aparatet me të cilat filloi diçka që më kurrë s’do të ndalet.
Shpejtësia e IT-së.
Një mrekulli që e kemi përjetuar këtë kapërcim.
Pikëlluese që s’do ta shohim sesi do të duket ky zhvillim pas 100 vitesh!
Në një kohë kur pasword-ët do t’u ngjajnë telefonave fiks të viteve 80 apo modemëve ISDN të viteve 90. Dhe interneti ndihmon ndoshta që në glob të ketë më pak budallenjë sesa që ka sot (Umberto Eco).
Më ndihmon Adorno: nëse një njeri do t’i bëjë përvojat ose jo, në instancën e fundit varet vetëm nga fakti sesi ai harron.