6 Janar

Lexoj. Gazeta në shqip. Ndjehem i lehtësuar që më në fund edhe Gjirokastra e ka rigjetur birin e saj Ismail Kadarenë. Pos që, sërish, më në fund, ia rregulluan shtëpinë, shoh që duan edhe t’i bëjnë edhe një shtatore. Ismaili kthehet në shtëpi. Si biri, jo plangprishës, por i miri dhe madhi- shumë më i mirë dhe shumë më i madh e përjetshëm se Enveri (Hoxha). Shpallja e vitit 2016 vit i Ismail Kadarenë vjen në kohën e vitin e duhur.
Shqiptarët e duan Ismailin kur ia u duhet. Të jesh shkrimtar dhe të jesh popullor por për këtë i lexuar nga ata që të urrejnë dhe s’i gëzohen suksesit tënd- bëhen sikur s’e shohin, s’e dijnë, s’e lexojnë…është gjë e mirë. Sa e sa letra janë shkruar kundër tij. Sa e sa libra janë shkarravitur për ta diskredituar. Sa e sa llafi është përçuar në tavolina mejhanesh… Krejt në Ballkan. Të gjitha ndër shqiptarë.
Është ky dyzim: populli të don dhe “soji të urren” që Ismailit i ka dhënë një, vetmi dhe me këtë edhe paprekshmëri e cila edhe vet politikanëve u ngjeth mishtë t’i aviten. Sepse e dijnë: sa të përkohshëm janë vet dhe sa i përjetshëm është ai.
I frikësohem paksa patosit, kitsch-it katundaresk në njërën anë që mund ta bëjnë në këtë”vit Kadareje” e që e bëjnë ata e duan së tepërmi (ai që të don tepër edhe të lodhë më së tepërmi- Pessoa) por edhe pompozitetit që Tirana e Prishtina do të provojnë ta stolisin veten me të.
Duke e njohur Ismailin them që të dyja s’do të ndezin. Është stoik. Dhe vazhdon rrugëtimin e tij. Buzë detit dikund në Shqipëri apo edhe në Boulevard Saint Michel të Parisit.  Nga ky vit edhe në Gjirokastër- vendlindjen e tij.