25 Janar

Mëngjeset nganjëherë dijnë të jenë të çuditshme. Sidomos kur u thonë të hëna. Që i bie fundjava. Dhe ashtu i trullosur del nga shtëpia me nikotinë e kafe në duar.  Bëhesh pjesë e masës së padukshme e cila të përpin.
Dimri që shporret brenda disa orësh dhe në fund të Janarit ndjen se je në një pranverë të hershme. Sipas gjase parakohshme.

Është ajo situata kur nuk ke nevojë të vraposh sepse TGV-ja franceze, me të cilën këta krenohen aq shumë, gjithmonë vonohet. Të vonohet një tren në një Gjermani është sikurse të jetë fundi i botës. Për trenin francez që gjarpëron tokave gjermnane s’ankohet pothuajse askush. Ka logjikë.

Marr biletën, blej edhe një kafe e cigare. Vendosi t’i blej dy, hamendem bile të jenë edhe tri, gazeta. Por njëherë cigarja. Jashtë peronave në “zonat” e duhanxhinjve shoh një njeri që i ngjet aq shumë Frank Schirrmacher-it.  Një dridhje trupi më pëshkon. Sepse pak më parë mendoja në FAZ-in që po rrëshqet. Falë internetit. Falë rënies së shitjes. Më kujtohet Hubert i cili në Panairin e Librit në Frankurt më tregonte sesi ndjehet mungesa e Schirrmacherit gjithandej në gazetë.  “Doubli”- i Schirrmacherit ka flokë të shkurtëra, pin duhan, në veshin e majtë ka një vath.  Asgjë nga dekori i të ndjerit. Por janë vijat e fytyrës, buzët paksa të varura sytë me shikim vetime, hunda e drejtë që e bëjnë t’i ngjajë aq shumë.  Çfarë do të bënte, si do të orientohej Schirrmacheri me këtë temën e refugjatëve? Para ca ditësh lexoja sesi edhe Hertha Müller ka hequr dorë nga abonimi i FAZ-it për shkak të kursit radikal kundër refugjatëve…

Avitem tek treni. Pranë derës së vagonit ku dua të  futem shoh dy  të rinj që janë ulur në bangën e pritjes. Njëri në anën e djathtë ka një qese letre nga McDonalds. Tjetri një birrë. Është ora 6:30.  Flasin arabisht. Fiki cigaren dhe futem në tren.

Përzihen gjuhët. Parisi pos frëngjishtes pret edhe gjermanishten, anglishten… nëse edhe arabishtja sot do t’i shkojë nuk e di sepse dy të rinjtë më humbasin.

Pasdite në shtëpi shtrihem të kotem. E kam zët gjumin e pasdites sepse e vret mbrëmjen e cila i ngjet mëngjesit.

Një natë e gjatë me kafe dhe ndonjë shkronjë duhet të kalojë disi. Pa trena e pamje që preken.