E kisha hequr fare nga mendja që sot me këtë ditë dhe këtë datë Adem Demaçi i mbush 80 vite. Kjo edhepse vetëm dy ditë pas tij 80 vite i mbush edhe Ismail Kadare.
Demaçin e kam takuar disa herë në jetë. Dhe në të kam parë disa Adem Demaça. Një patriot. Një njeri thellësisht të vetmuar. Një qenie të dyzuar që fjalët i ka si mehlem për t’u mbrojtur. S’ka rëndësi çfarë thotë sa është e rëndësishme që e thotë gjithë atë që ka e s’ka ta thotë vetëm e vetëm që të thotë diçka.
I shkoi një jetë për kombin.
Një e treta e kësaj jete në burgje.
Adem Demaçi është dëshmia më e mirë e asaj që ndër shqiptarë, sidomos të Kosovës, të biesh në burg për diçka nuk dmth. që pasi të dalësh nga ai burg edhe do ta çmojnë, respektojnë… sakrificën.
E kam pyetur për këtë gjë.
Para dy apo tre vitesh fare rastësisht në Prishtinë.
Unë: Bac’, kam folur me ty qe disa kohë. Sidomos muajt e fundit.
Ai: ku je Cuf’… ke humbur fare… të lexoj me qejf edhe kur na shan edhe kur na lavdëron.
Unë: Po të ishin para të politikajve të Prishtinës gjithë ato shkronja që kam shkruajtur milionerë do të ishim… Por a mund të ulemi dhe pijmë një kafe. Dhe po ta bëj atë pyetje që ta kam bërë vetmevete.
Ai: të ulemi po. Kafe s’do marr por një lëng apo një çaj.
Unë: tani Bac’, ma thua ti dot… si shpjegohet që asnjë nga të burgosurit e Kosovës, për politikë, nga NDSH përmes teje e deri tek këta më të “rinjtë”… të viteve 80 apo 90 e deri tek këta djemtë e Hagës, që qëndruan nëpër burgje sa herë u kthyen kurrë nuk arritën të ngjallen. Nuk u pranuan disi…
Ai: Epo… kjo është një punë që nuk shpjegohet lehtë. Sepse punët për të cilat ne kemi hyrë në burgje janë shumë më të mëdha sesa realiteti i vështirë i popullit…
Unë: Po pse popujt tjerë i presin me mall e respekt, me poste e pietet të burgosurit e tyre..
Ai: sërish e përsëris që punët e popullt dhe çështjet për të cilat ne shkuam në burgje janë tjerat…
Pastaj u kthyem tek letërsia…
Sa do të doja t’ia uroja.
Një njeri i mirë i cili edhe patriotizmin e ka shëndërruar në njërëzillëk. Robinson Cruzos së shqiptarëve. Jo: i Ballkanit!