Shoh që telefoni më ka cingërruar disa herë. Numër që s’e njihja. Mëpas lexoj një mesazh. Ishte shefi në detyrë, shefi i ditës, i faqeve të Kulturës së gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung të cilin e njoh tash e sa vite. E thërras dhe fillojmë bisedën për Urimin të cilin ai më propozonte që t’ia bëja në faqet e FAZ-it për numrin e sotëm.
I them që s’mundem sepse kam diçka të them… dhe mendoj që s’do t’i takonte pikërisht vegjëlisë sime ta uroj…
Ju mund të thuani çdo gjë dëshironi dhe këtë gjë e keni bërë tash 17 vjet në gazetën tonë, më kundërvihet redaktori.
Nuk mundem sepse i kam uruar tek kolegët tuaj në Neue Zürcher Zeitung para dhjetë vitesh kur i pat mbushur 70 vjet, i them unë paksa i hutuar.
E di që keni shkruar para dhjetë vitesh për të. Por tani kanë kaluar dhjetë vite…, më përgjigjet ai.
Pikërisht për këto vite është fjala, i them unë paksa me mëdyshje nëse vërtetë e dinte që kam shkruar para dhjetë vitesh.
Tani, si të doni ju. E dini që gjithmonë do jeni pjesë e kësaj gazete, më thotë ai.
Prandaj i them unë. Prandaj kam pak frikë dhe të nisi të bërtas në një gazetë e cila më ka rritur ngase jam aq i hidhëruar…, i them unë.
Pse jeni i hidhëruar, më pyet ai.
Sepse prej para 10 vitesh që e kam uruar, Nobelin s’e mori ende. Por Kadare u nderua me Çmimin Man Booker International, është bërë Princ i Asturias, së fundmi mori edhe Çmimin Shtetëror të Izraelit për Letërsi… Për çmimet në Francë as të mos flasim. Kurse ne gjermanët disi s’e kemi nderuar me Çmimin Kryesor- atë Paqes.
Përshëndetemi përzemërsisht. Dhe e mbyllim bisedën me premtimet e dyanshme që së shpejti edhe do shihemi.