30 Janar

Lexoj recensione për autorin irakiano-gjerman Abbas Khider.  Këto ditë në libraritë e mesit të Evropës është lëshuar në qarkullim romani i tij i ri me titullin Ohrfeige. Shqip do të duhej të ishte Shuplaka.

Morinë e recensioneve e nisë e majta taz. Është roman aktual me temë më tepër se aktuale: azilin dhe azilkërkuesit. Edhe më interesant: Khider flet për përvojën (e tij?) e brendshme të procedurës nëpër zyrat dhe burokracinë gjermane për vite e vite të tëra.  Një përplasje për fytyrën e zyrtarëve gjerman sesi trajtojnë njerëzit që kërkojnë mbrojtje në këtë vend.

Lexoj disa fragmente nga libri… Lexim i lehtë, fjali të rrjedhshme dhe skena që preken e ndjehen.

Nëse do të nxit debat ky tregim? Me siguri.

Me rrezikun që aktualiteti politik pos që mund t’ia mvesh epitetin e oportunizmit të cilin Khider e lufton me gjuhë pezmi e sarkazme pokështu edhe mund ta gëlltisë pikërisht në aktualitetin që s’i shkoqet kësaj pjese të Evropës për temën e azilit.

Jam më shumë se kurioz nëse Shuplaka do ta nxjerr kokën dhe mbijetojë e vlerësohet karshi aktualitetit politik.