Paradite
Vetëm kirurgët e trurit e dijnë: anatomia e organit më të panjohur në trupin (kokën?) e njeriut … e dijnë se sa nuk vlen besimi! Intervista e mrekullueshme e neurokirurgut më të njohur në botë, Henry Marsh (është ky pra, që para ca kohësh qëndroi në Tiranë! dhe NYT Magazine i dha disa faqe hapësirë për atë udhëtim) i cili në një intervistë për FR flet për atë sesi “pjesë të caktuara të trurit, sidomos frontalja, kur shkatërrohet atëherë atëherë humbet edhe çdo gjë dhe sidomos aftësitë sociale të njeriut. Përfshirë edhe moralin. Ne jemi ajo që është truri ynë. Vdes- truri- vdesim ne. Ky fakt na e merr besimin për jetë pas vdekjes. Mirëpo e bën vlerësimin e materies. Sepse shkenca as për së afërmi nuk mundet ta shpjegojë si funksionon ndërdija. Thjesht nuk e dijmë…”. E lexova dhe ia përktheva në shqip këtë pjesë vetvetes. Dhe nuk u pendova. Sepse ndjehem i lehtësuar që s’kam provuar të jem kurrë shkencëtar… Edhepse është aq fascinuese kjo puna e këtij Marsh.
Pasdite
Një ese në interesant në Die Welt për dhe rreth internetit. Fuqia për të shkepur me shpejtësi meteorike lajme të rrejshme, propagandë dhe çka jo tjetër që ka interneti? Po. Por poaq edhe për përmirësim, diciplinim dhe respektim të rregullit që quhet lajm i mirë.
Është e vërtetë dhe nuk është sekret: koha që jetojmë është e çdokujt që mund ta thotë atë që ka. Poaq sa është e atyre që veten e quajnë profesionist dhe e bëjnë punën si profesionist- si urë lidhëse mes lajmit dhe raportit, tekstit të autorit dhe lexuesit. Ai që mendon që është bërë autor me një tekst dosido e ka tepër të zorshme të pranojë faktin që lexuesi- i çfarëdo niveli të jetë ky- s’do ta vërejë që nuk është tamam ai profesionisti…
Edhe shkronjat në shqip kanë filluar të kthjellohen nga këto fenomene.
Nëse s’gabohem… Por duhet edhe shumë, tepër shumë kohë.
Gjumë i gjatë pasdite.
Natë
Një natë e gjatë para vetes- me … shkronja mbase. E nëse jo- atëherë është leximi që shpëton.