Mëngjes
Një kokëdhembje që kumbon sëmundjen dimërore. Atë gripin i cili nuk e pyet as fëmiun e as të riun. Ja që s’guxoj të rri shtrirë. Dita duhet të kapet. Sepse nuk janë shumë ku duhet të dal. Nuk guxoj të ndalem.
Nuk e mbaj mend kur jam ulur në një tramvaj në drejtimin e kundërt. Pikërisht këtë mëngjes kur në krejt ekranet e televizioneve në stacione njoftojnë për aksidentin/fatkeqësinë e trenit në Bavari. Dhjetë të vdekur.
Si këta njerëz të gjallë por ende të përgjumur në këtë tramvaj ku jam ulur në drejtim të kundërt. Vazhdoj ta ushtroj vëzhgimin. Dy ulëse përtej kam tre arabë. Nëna, e bija dhe i biri. Me shikime të hutuara por edhe kurioze drejt filimit të vagonit. S’kam si të mos e kthej kokën. Dhe shoh ata. Kontrolluesit e biletave.
Nuk kalon shumë kohë dhe përshëndesin.
“Mirëmëngjesi, biletat e udhëtimit ju lutem!”.
Nxjerri nga xhepi biletën dhe shikoj drejt nënës, së bijës dhe të birit. Secili ka në dorë biletën. Një ndjenjë ngadhënjimi shihet në sytë e tyre. Që janë pjesë normale e asaj bashkësie udhëtarësh këtë mëngjes në këtë tramvaj? Mbase. Një provim i kalauar në fillimet e fillimeve në një tokë e vend të huaj dmth. më shumë se… nuk më kujtohet se çfarë në këtë çast. Kalim barriere?
Pranë e kam një plakë që lexon një libër. Më mirë libër se gazetë në mëngjes. Shoh titullin. Në shqip do t’i biente diçka si “Vende të fshehta”. Mendoj për të huajt që më s’i shoh sepse duhet të zbres nga tramvaji. Afganas? Irakianë apo sirianë? Refugjatë po se po.
Dhe marr trenin.
Që të hyj në një ditë të gjatë. Me njëmijë e një fytyra dhe njëmijë e një rrëfime. Aspak përrallore. Shumë më tepër të frikshme.
Në kohën që jetojmë. Dhe kaq pak bashkëndjejmë. Sepse jemi pjesë e automatizmit të përditshmërisë ku edhe njeriu, prej ngado që ai vjen- luftëra a vuajtje, vuajtje të pafundme, shihet si punë. Si një punë që duhet kryer. Me dosje. Me numra. Me fate që vendosen në bazë të hartave të krizave që mediat dhe me këtë politika e vendosin të jetë prioritare.
Këtë mëngjes protestoj kundër lajmit. Ia ndaloj vetes të lexoj gazeta.
Apo të jetë gripi që troket në trup ai që luan me trurin kaq keq.
Treni fillon të lëvizë në binarët e tij të rregullt.
Nuk dua të mendoj për të vdekurit e djeshëm të aksidentit/fatkeqësisë. Ke mundur edhe ti të jesh një nga ata udhëtarë në ato male gjermanike me binarë gjarpërore.
Edhe ashtu prejse dij për veten treni është mjeti im i udhëtimit. Në bashkësi me njerëz të panjohur drejt Vendeve të Fshehta.
Dita është e gjatë dhe dua të bëhem pjesë e njëmijë e një fytyrave dhe njëmijë e një rrëfimeve.
Me apo pa kokëdhembje.
Mbrëmje e vonë
Njëmijë e një fytyra e tregime. Të trishta.
Aq të trishta saqë njeriu e ka zor të mendoj që do ta gjejë një shtrat të shtrihet dhe provojë të pushojë.
Cila është më e durueshme: ëndërra apo vdekja?