17 Shkurt

Kuti kujtimesh e shënimesh. Para tetë vitesh.
Prishtinë. E diela ndryshe. Askush s’e thotë por të gjithë e dijnë.
Paradite: Kosovo Under UN Resolution 1244.
Moti: gri.
Masat e njerëzve që s’ndalen. Flamuj nga tërë bota. Australia, Zelanda e Re, Evropa… Gjermnia, Zvicra, Britania e Madhe por edhe Franca e Italia.
Të gjithë e dijnë askush s’e thotë.
Paradite vrapoj ta marr FAZ me një ese që kam bërë për Luanin dhe kontributin tim për pavarësinë. Me Ali Podrimjen dhe plot miq tjerë Luani është i elektrizuar… Si të gjithë.
Masa e muzikë. Vallëzime e këngë. Një det me njerëz.
Jemi me miq, shumë miq. Në zyre, në kafene, në rrugë.
Më kujtohen fjalët e Norbert: duhet të shkosh! Është diçka që s’e kemi përjetuar asnjë prej nesh. Të përjetosh shpalljen e një shteti. Lindjen e një Republike.
Nuk pendohem që kam udhëtuar. Përkundrazi.
Fillon festa. Festë, festë, festë… Nga orët e hershme të paradites deri në mbrëmje. Kohë pas kohe duhet të lëviz dhe flas. Sidomos për radiot (gjermane, austriake, zvicerane). DeutschlandRadio, Deutschlandfundk, WDR, SWR,Schweizer Radio, ORF…E zgjedhim atë kafenenë e moçme… atë tek Shoku/Martini. Aty ku njeriu e sheh veten në Kosovën e pushtuar të viteve 90. Me mish të pjekur, raki të kulluar, djathëra e zarzavate që me aromat e shijen na kthejnë në një kohë e cila kurrë më nuk do të kthehet. Ikjet në telefon duhet të më kushtojnë… Ma thonë miqtë të cilët i kam para sysh … Xhekin, Denin, Arin…
Telefoni s’ka të pushuar. Me urime pas shpalljes në Kuvend. Më interesantja është nga Mainz. Studio e 3sat kërkon të flas live në 19:15… Më pyesin në më duhet një taksi, një shofer, një… .një… një… U them sesi Prishtina është kryeqyteti i shtetit më të ri të Europës por përmasat janë aq të vogla.. Ma sqarojnë sesi duhet të shkojë në Hotel Grand, atje është “Pult”-i.. dhe duhet të ngjithem në katin e gjashtë.
Kalojnë orët e delirit dhe duhet të shfaqem para kamerës. Kur ngjitem lart vetja më duket si një reporter lufte. Kudo përskajt pulte reporterësh. Më avitet një “stringer”- shqiptar nga Kosova. Më pyet anglisht kë kërkoj. Ia kthej shqip që kam të flas për një TV gjermano-austriako-zviceran. S’ja mbushi syrin edhe aq. Është ftohtë dhe kur e shikoj mirë e njoh. Emrin s’ia di por e di që është moderator bukur me emër në Prishtinë nëpër televizore.
S’merrem shumë me të dhe lidhja funksionon mirë me 3sat. E vetmja gjë që di ta kem thënë atë ditë është që në Kosovë sot ngjau një festë përmasash të një përralle dimërore për shqiptarët dhe… një ëndërr që u bë realitet… etc.etc.
Fjalë sa të duash.
Paradite Kosovë e në mbrëmje Republikë e Kosvës.
Për të vijuar me festën në “De Rada” të famshme. Mezi na lënë të futemi brenda. Janë klasa… kasta e politikës së Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë… Dehja kolektive brenda mureve të këtij lokali… atëbotë aq të famshëm.
Dhe sot të harruar.
Tetë vite mëpas.