Agjensitë e lajmeve, gazetat, televizorët, interneti… mbushur me lajmin për vdekjen e Umberto Ecos.
Mjeshtrit. Mendimtarit. Kam lexuar shumë libra të tij dhe ajo që gjithmonë më ka impresionuar tek ky autor i madh i epokës në të cilën kemi jetuar është: mprehtësia e tij.
Verën e kaluar gjatë pushimeve në Ravenna të Italisë, duke qëndruar pranë varrit të Dantes i cili nga ky qytet mbahej me një fanatizëm plotësisht të kuptueshëm, mendoja në Eco-n. Ndoshta edhepse në Qershor lexoja eseun e tij për punën e Emigracionit dhe Refugjatëve në Revistën e Instituteve Kultorore Evropiane “Europa”. Derisa në tekstin e vegjëlisë sime rrëfeja për rrugëtimin e gjatë për të mbërritur ku jam… në Europë… mjeshtri, në tre faqe u thoshte lexuesve nga 22 shtete të BE-së që u pëlqeu a jo: ata (refugjatët) do të vijnë çdo ditë e çdo vit edhe më shumë. Arsyeja: tradita e migracionit, koha e shpejtë që po e jetojmë dhe mirëqenia e cila njerëzit nga Azia, Afrika i tërheqë të mësyejnë drejt Evropës.
Me Eco s’jam takuar kurrë edhepse mund të betohem që kemi qenë disa herë në të njejtat panaire libri (Gjermani e Zvicër), në të njejtat pritje që Shtëpia Botuese organizonte (kemi patur të njejtin botues, Michael Krueger), dhe jemi botuar në disa antologji- që për tematikë kanë patur Europën Do të mund të merrja rolin, për të mos thënë mundin fatket të ndonjë publicisti nga Kosova apo diplomati nga Shqipëria të cilët kohëve të fundit më kanë shkaktuar të qeshura- ama aso të lehta, sesi e kanë takuar Guenter Grass-in dhe me të kishin biseduar gjerë e gjatë për Kosovën e Shqipërinë, Kadarenë e Ballkanin. Vetëm se: të dy rrëfimet në fjalë vinin pasi Grass kishte vdekur.
Dhe kur jemi tek vdekja, këtë të shtunë mendja më shkon tek Antonio Tabucci. Dhe Pereria i tij (i cili gjithnjë sqaron, tregon). Është madhështor ai redaktori i cili në sirtaret e tij i ka të gatshme ato homazhet posthume për shkrimtarët që ende janë gjallë por së shpejti do të vdesin. Dhe nuk i duhet punë aq e madhe t’i shtypë ato tekste.
Në njëfarë forme edhe koha që e jetojmë i ngjet asaj të Pererias. Sepse në këto çaste njeriu mund ta bëjë një kapërcim pastaj edhe një tjetër edhe një e një… dhe përmes internetit të gjejë çdo gjë për Eco-n. Por lexuesi (që është vetvetja) nuk është budalla. E ndien këtë gjë.
Kur jemi tek interneti. Eco ishte prej intelektualëve të mëdhenjë që e kuptoi rolin e këtij mediumi prej të parëve të sojit të tij. Prandaj u shërbye me të dhe përmes tij. U bë i dashuri i shumë e shumë gjeneratave të reja. E donin. Nuk them që në fillimet e mia të jem pajtuar me tezat e tij për internetin (duhet, por me karar, s’bën pa të sepse është realitet etj.): por ja që mjeshtri kishte të drejtë.
Dhe fare në fund, kur dikënd respekton shumë… për të mos thënë më ndryshe.. s’ka si të mos e përshkruash atë çastin kur e merr vesh lajmin- qoftë të gëzueshëm qoftë kobzi- të stilit- isha me këtë apo bëja atë..
Edhe më keq është kur flet për të.
Siç e bëja të premten në drekë në La Piazza me Sebastian. Në drekë, ky më tregonte se çdo gjë ishte bërë gadi për numrin e Europa që këtë vit do ta ketë si tematikë Sportin. Për shkak të Futbollit në Francë, Uefa-s e Fifa-s, sporteve tjera… Bindje që të pranoj të shkruaj disa rresbta për këtë temë. Dhe më tregonte që kanë pranuar edhe shkrimtarët të shkruaj: Eco, Paul Auster, Sloterdajk, Tim Parks-i etj.etj.
E siguroja që do të shkruaj edhepse e ndiente edhe ai që e bëja me përtesë.
Gjëja e parë që më shkoi ndërmend kur e lexoja lajmin për vdekjen e Ecos këtë të shtunë paradite ishte nëse e ka shkruar atë tekst…
Dhe tashti… do të jem më tepër se kurioz ta di a e ka dorëzuar apo jo.
Para se të flej vazhdoj të lexoj tekste kushtuar Ecos.