7 Mars

Një prej atyre takimeve krejt të papritura. Jemi në fushatë për zgjedhje rajonale dhe kjo dmth. që qyteti dhe Republika është veshur me posterë dhe fytyra politikanësh. Me 13 Mars në jug do të faturohet politika me refugjatët e Kancelares dhe koalicionit.

Kam fatin të jetoj në një Republikë të Gjelbërt. Për herë të parë në historinë  e një Landi kemi një kryeministër të gjelbërt dhe një Qeveri gjelbër- kuq. Qe katër vite.

Dhe tashti duhet të vendoset se kush do të fitojë.

CDU jo se jo. Por edhe Gjelbërt-Kuq zor se do bëhet.

Të shohim si do jetë.

Nisem për të pirë kafe në qytet dhe pranë stacionit të tramvajit më avitet një njeri me një mollë dhe një flyer në dorë. Është kandidati i të Gjelbërve. Winne. Winne është edhe Ministër i Komunikacionit dhe IT-së në Qeveri të BW-së edhe kandidat në Stuttgart II.

I kujtohem dhe flasim paksa për shëndetin, punët e punën. E përgëzoj për punën si Ministër dhe si Qeveri. I uroj sukses por edhe i them që kam dilemat e mia nëse do t’ia jap votën. Ia kujtoj që kishte votuar dhe ishte shprehur kundër intervenimit të NATO-s kundër Milosheviqit.

Buzëqesh dhe më pyet: “Edhe… u bë më mirë? Them se jo. Pos lirisë e pavarësisë asgjë s’po shkon në Kosovë”.

“Por edhe ato nuk janë pak”, i përgjigjem.

Nuk e di nëse do t’ia jap votën këtë të dielë.

Mbase edhe për faktin sesi rrin para tramvajit dhe vet, edhepse i ka gjasat absolute të fitojë mandat të drejtpërdrejtë, flet me qytetarët… njeriu dhe duhet të mendojë ta votojë. Por është në Qeveri. Dhe njeriu që s’është kurrë me Qeveritë e ka zor të votojë për ta.