9 Mars

Peter Sloterdijk. Ana tjetër e Habermasit. Filozofi i djathtë i cili për vete thotë se është i majtë. Dy të gjallët më të mëdhenjtë. Sloterdijk e sheh veten më shumë në shkollën e Adornos. Kohëve të fundit më tepër se rigoroz ndaj politikës së refugjatëve të Qeverisë dhe Zonjës Merkel. Kërkon mbyllje të kufinjve. Don që Gjermania dhe Evropa të mos “mbyten” nga kultura e civilizime që s’janë oksidentale.

Të ketë qenë krejt kjo prani e tij në media për refugjatët si një parahyrje, parapërgatitje për librin e tij të ri? Mund të jetë. Sidomos nëse shkruhen libra për filozofi, histori, zhvillime historike të cilat nuk e gjejnë lexuesin sikurse romanet, letërsia e lehtë. Mund të jetë.

Sidoqoftë libri i tij i ri “Çfarë ngjau në Shekullin 20” është fascinues. Gjashtë ese të gjatë me të cilët dhe përmes të cilëve filozofi dhe sociologu i madh gjerman, nga më të mëdhenjtë që ka Evropa s’honeps edhe aq për të dhënat e sakta të historianëve. I kalon lehtë. I përmend luftërat dhe tragjeditë, diktatorët dhe ideologjitë si pasojë e fillimshekullit të përgjakshëm i cili ashtu do të jetë për 100 vjet rresht.

Dhe në prapavijë, në çdo gjë që ka të bëjë me “profecitë” e këtij shekulli ai ndalet tek ekologjia. Ndërlidhur me demokracinë ai e sheh ekologjinë si një sistem të ri i cili do të jetë edhe sfidë por edhe shans për këtë shekull që po e jetojmë. Që i bie: pas pësimeve, njerëzimi nxori mësimin që lufta dhe luftërat s’janë zgjidha. Shumë më tepër duhet të armatosemi që përmes zhvillimit teknik të bëhemi gadi para katastrofave natyrore që na presin. Këtë dhe shekujt që do vijnë. Me apo pa neve.