Duhet të shkosh në varrimin e Rexhës!
Harroje!
E ke patur një prej miqve më të mirë në jetë.
Nuk shkoj!
Pse? Ke udhëtuar për gjëra shumë më të parëndësishme. Ke marrë avion edhe për dëfrime koti por edhe për zore që s’kanë qenë zore.
S’e bëj dot!
Pse s’e bën. Ma thuaj pse s’e bën?
Sepse s’dua.
S’don apo s’mundesh. Avionin dhjetë minuta nga shtëpia e ke. Sot në mëngjes shkon… mund të kthehesh po sonte. Brenda ditës. Tre orë fluturim. Vajtje ardhje. Është si të shkosh nga Prishtina në Dukagjin dhe të kthehesh. Pale që në avion nuk ke as gropa rrugësh as peisazhe me vila milionëshe e kope delesh e lopësh që s’i ruan askush.
S’më mungon asgjë. Mjafton kjo mërzi të cilën mezi e përblloj.
Nuk e di. E kam zor të të kuptoj. Them se do të duhej të shkoje. 12 orë. Për mikun. Për Rexhën. S’e takon askënd meqë tërë kohën thua që s’don takime. S’don biseda.
Rexha më kupton. Do më kuptonte. Edhe ashtu ka mbaruar çdo gjë me poshtë. Të kam thënë: edhe kur të shkoj nga kjo botë do të rri këtu: më mirë të ma dërgosh maqinën e parë të shkrimit e dorëshkrimet… në Arkivin e Marbachut sesa të kalben atje poshtë. Një vend në bodrumin e Marbachut do gjindet. Edhe Rexha do të ishte PËR.