25 Mars

Senthuran Varatharajah, i lindur në vitin 1984 në Jaffna të Sri Lanka. Ka studiuar për Filozofi, Teologji Evangjeliste dhe Shkenca të Kulturës në Marburg, Berlin dhe Londër. Senthuran Varatharajah jeton në Berlin. Kjo është biografia e këtij … shkrimtari i cili këto ditë ka botuar një roman të çuditshëm me titull të çuditshëm, përmbajtje të çuditshme dhe personazhe edhe më të çuditshme.

Titulli i romanit (shkruar gjermanisht, botuar  në një shtëpi të madhe, prej më të mëdhave në gjermanifshtfolëse):  Vor der Zunahme der Zeichen (S.Fischer).

Në shqip do të duhej të ishte diçka si “Para rritjes së shenjës”… Gazetat kanë filluar të shkruajnë për rrëfimin i cili s’është gjë tjetër veçse një “dialog”- nga fillimi deri në fund, mes dy të rinjëve të cilët takohen në “Chat” të Facebook-ut. Senthil Vasuthevan (që është, duhet të jetë alter ego-ja e autorit nga Sri Lanka) dhe Valmira Surroi (emër shqip, mbiemër shqip). Senthil Vasuthevan dhe Valmira Surroi. Një dialog i gjatë, tepër i gjatë në 256 faqe ku njëri-tjetrit i tregojnë për jetën pa u takuar as edhe njëherë. Biseda e tyre me shkrim, herë në formë monologjesh e herë me pyetje, herë me rrëfime e herë kujtime, asnjëherë e mërzitshme, shpalos dy biografi të dy të rinjëve në Shtëpi Azilkërkuesish, kohë shkolle e studimesh, ëndërra e dëshpërime… Hone jetësore nëpër të cilat kalon çdo i huaj që si fëmijë ikën nga atdheu dhe me e përmes prindërve në një vend të huaj kërkon mbrojtje dhe fillon jetën.

Është impresive sa dhe si autori gjermano-srilankez e njeh jo vetëm të kaluarën e alter ego-s së tij por sidomos atë të Kosovës, Valmira Surroit…

Libri i dytë këtë pranverë me Kosovën dhe shqiptarët. Pas romanit “Y” të Jan Böttcher … edhe një autor joshqiptar shkruan për shqiptarët (e Kosovës).

Që i bie: s’prish punë që autorët shqiptarë nuk po munden të kapen me temat që bota i jeton. Sepse autorët shqiptarë nga Kosova e Shqipëria edhe ashtu janë mirë. Shumica prej tyre profesorë e doktorë, akademikë e specialistë të të krejt fushave që kanë të bëjnë me botën shqiptare. Ama vetëm atë botën shqiptare që e kanë para syve. Jo me botën shqiptare e cila tashmë, në ndërkohë është shkrirë në kuptimin pozitiv të shkrirjes, duke u bërë pjesë e fshatit global…

Megjithatë: njëri autor gjerman puro, tjetri autor i lindur në Sri Lankan e largët dhe rritur në Gjermani. Të dy me romane për Kosovën. Njëri me rrëfim nga Prishtina me rrugët e saj, kafenetë, emrat e rrugëve e shesheve të Prishtinës e tjetri, me specialitet edhe më shqiptar: Faceboook-un. Me të e përmes tij shkruan roman po për shqiptarët.

Pranverë tjetër…