26 Mars

Leximi. Diskutimi. Fashizmi dhe Islami. Ka kohë që s’e kam lexuar NZZ dhe ta lexosh këtë gazetë dmth. të dish ku je dhe në cilën kohë jeton. Debati i madh francez mes Oliver Roy dhe Gilles Kepel. Është betejë jo vetëm shprehjesh sa edhe qëndrimesh. Nëse kemi të bëjmë me një radikalizim të fesë myslimane apo me një myslimanizëm të radikalizuar? Dhe këtu vijnë dy filozofët e njohur tek shprehjet si salafizmi apo edhe grupimet tjera nga Al Qaid-a e deri tek IS-i. Nëse krejt këto kanë të bëjnë me “rrënjët” e terrorizmit të majtë të shprehur në Evropën perëndimore sidomos në vitet 60/70/80?

Jo, thotë Mario Vargas Llosa. Në 80 vjetorin e tij Llosa flet me Marko Martin-in e Die Welt-it dhe i tregon këtij që derisa komunizmi dhe komunistët, radikalët e majtë dhe njësitet e tij guerile kishin diçka letrare, diçka misterioze që përbënin edhe brum për letërsi… kjo gjë nuk mund të thuhet edhe për terroristët e IS-it.

Që Llosa vazhdon të jetë edhe më tej hero i bulevardeskeve latinoamerikane vetëm pse e ka martuar me ish-Gruan e Julio Iglesias dhe nënën e Enrique Iglesias e kam ditur. Por që për këtë ka patur edhe emisione Live apo që edhe sot e kësaj dite ky çift vazhdon të përcillet edhe në Madrid nga mediat latino-amerikane… këtë s’e kam ditur.