28 Mars

Është e hënë dhe i ngjet së dieles. Asgjë e re. Sa herë që ditët e festave bien sidomos në fund apo fillimjavë duhet të ketë diçka që rrugët i bën më të zbrazta, dyqeneve të mbyllura u vendosen edhe ca dryna virtualë, programeve televizive u vishen ca repriza që njeriu i ka parë para 100 vitesh dhe serialeve të Amazon apo Netflix s’u bëhet të dallojnë nga njëra-tjetra me asgjë. Ndoshta vetëm me fytyrat dhe fjalët të cilat në fund të fundit janë të njejtat.

Edhe mali i populluar me shëtitësit e shtuar nuk është ai që duhet të jetë. Zhvishet nga misteri. E panjohura.

Nuk e di nëse A. & A. shijuan më shumë ushqimin italian apo kinemanë me pjesën e dytë të “Dasmës Greke”. Kinema e vogël e cila s’ka asgjë nga vizualizimi i UFA-ve me BluckBusters. Autorët i kanë qëndruar besnik edhe rrëfimit të pjesës së parë por edhe “ballkanizimit” në mes të Amerikës. Natyrisht që as freskia e as befasia që Dasma e Dytë do të mund të kishte si herën e parë.

Por kjo ka më së paku rëndësi. A. & A. Shijuan të dyja- edhe ushqimin italian edhe kinemanë amerikane me teka greke…