12 Prill

Lexoj për idenë e “samitit” të Ed Ramës me “diasporën”. Dhe çuditem. Me këtë më-në-fund-gjetje. Nuk besoj ta kem “kompetencën” dhe kompetencën për “diasporën” shqiptare të Shqipërisë. Së paku jo atë të viteve 90 e deri tek vala e fundit e shqiptarëve që mësyen drejt Gjermanisë. Këta të fundit edhe ashtu ende janë askund- as në Shqipëri as në Gjermani e vende tjera të Evropës.

Shqiptarët tjerë (nga Shqipëria) po: ata kanë edhe pasaporta greke edhe lejeqëndrime italiane, edhe vende pune në Zvicër edhe biznese në Gjermani, edhe nënshtetësi amerikane edhe firma britanike. Dhe janë shumë, aq shumë saqë jo rrallë njeriu lexon në media të huaja që më shumë se gjysma e shqiptarëve të Shqipërisë “jeton” jashta kufinjve të këtij shteti.

Të mendosh që në vitin 2016 një politikani, shefi qeverie shqiptare i kujtohet që ka njerëz, me prejardhje shqiptare dhe me banim jashta shtetit është sa për hidhërim- pse s’janë kujtuar, aq edhe për ngazëllim, që më në fund don të bëjë diçka. Diçka që këtyre njerëzve do t’u jepte shenja jete për ca shtigje të reja. Dhe para së gjithash besimin që munden jo vetëm t’i vizitojnë familjet e tyre apo portalet ku shkruhet e raportohet për politikën, ekonominë, financat, kulturën e sportin në atdhe por edhe… mund ta dërgojnë dijen e tyre e ndoshta, nëse shohin që ka përmirësime dhe klimë pozitive, edhe kapitalin e madh. E të dyja këto, dije e kapital, shqiptarët që jetojnë jashtë i kanë aq shumë, sa me mend s’mund ta marrin në Tiranë a Shkodër, Gjirokastër a Sarandë. Nuk është se do ngjajë diçka pas këtij “samiti” por një hap bëhet.

Një gur hidhet. Në Shqipëri.

Sa për Kosovën… Për Kosovën as që duhet folur. Shqiptarët e Kosovës, Kosovo Albaner-at në Gjermani, Zvicër, Austri por edhe Skandinavi a Amerikë e Australi: janë superfuqi. Në vendet ku jetojnë. Dhe për familjet e tyre në Kosovë.

Vet Kosova, s’don, s’din, s’mundet të merret me ta. Dhe kjo jo vetëm pse Kosova nuk e ka një Ed por edhe për shkakun që edhe vet njerëzit e Kosovës që janë në perëndim s’kanë aq besim që mund ta kalojnë lehtësisht një komunikim institucional me Qeverinë dhe Qeveritë në Prishtinë. S’kanë faj. Kryetar shteti është Hashimi. Ky vet ka jetuar në perëndim, Zvicër. Dhe ky vet o s’ia ka idenë për zhvillimin e zgjerimin e Kosovo-Albaner-ave në vendet gjermanike o s’mundet a s’don ta pranojë këtë katapultim, për të, të frikshëm, për Kosovën madhështor, të bijave e bijve të refugjatëve të viteve 90, vet ish-refugjatëve të viteve 90, pasardhësve të tyre të cilët edhe pas luftës e çlirimit të Kosovës vendosën të jetojnë në Europë. Kjo për Hashim Presidentin. Për Isën as që vlen të flitet. Ky edhe ashtu është i humbur në postin e tij. Të dyve në fakt nuk duhet marrë për seriozisht “Ministrinë për Diasporën” sepse kjo Ministri s’ka fuqi. Edhepse s’është gjë e keqe që ekziston, bile edhe përpiqet të bëjë diçka por fakt është: diaspora e Kosovës nuk është diasporë. Ajo është shumë më shumë se Diaspora. Është shumë më shumë se Kosova. Është diçka që Prishtina ende s’e ka kuptuar dhe kështu si është- s’do ta kuptojë kurrë. Potencialin. Fuqinë. Masën. Shtrirjen. Të qenmit (qytetarë) europianë.

Dhe tani vjen kryesoreja: diaspora shqiptare e Shqipërisë, diaspora shqiptare e Kosovës por edhe Maqedonisë, Malësisë së Malit të Zi, Luginës së Preshevës nuk ka nevojë as për vajtime as për titirambe. Ajo ka nevojë që t’i sheh atdhetë si veten: pjesë të civilizimit perëndimor, europian. Duke parë që Shqipëria është larg, Kosova nuk është kërkah, Maqedonia e viset tjera janë të përçara do të ishte ndoshta me vend që këta njerëz tanë vetëm të dëgjohen njëherë… e pastaj të flitet me ta si mund të ndihmohet. Diaspora nuk është e frustruar. Ajo është e pikëlluar. Që s’po sheh dritë në tunelin shqiptar të mosdijes e injorancës, krimit e korrupsionit politik dhe jo vetëm, në Ballkan.

Koha e fundit ta thërrasim kujtesën: kurrë s’kanë mundur të bëjnë diçka shqiptarët në Ballkan pa diasporën e tyre. Kurrë shqiptaria nuk do të bie në binarë (këso radhe jo të lirisë sa ata institucional) pa e marrë edhe diaspora rolin e saj!