Tastiera. Nuk është aq e thjeshtë të mendohet nëse shkruan këtë gjuhë dhe të mos e mendosh se në çfarë tastiere do të shkruash. Janë disa shkronja të cilat i paraprijnë motorizimit të trurit, gishtërinjëve, rrokjeve, fjalëve, fjalive… Dhe të gjitha këto të bëhen me ë, me ç… Sidomos me këto të dyja.
Është një dallim që e bën shqipen të jetë shqipe dhe të mos jetë as gjermanishte e as anglishte. Por është një dallim i vogël i cili krahasuar me fqinjët që këtë gjuhën tanë e rrethojnë del të jetë minimal.
Apo s’ju ka rënë të shihni në gjuhët sllave (sidomos cirilike) sesi gjithmonë duhet të preket një buton lartë për të vendosur se cilës gjuhë doni t’i nënshtrohen, të lexoni me e në të…
Them se këtu ngjet ai ndryshimi i madh. Mes një ë-je e ç-je kur e shkruan dhe një alfabeti të tërë të cilin serbët, malazezët, maqedonasit por edhe grekët…. e përdorin.
Do të duhej të jetë i pafundmë mendimi për baballarët e këtij alfabeti të cilin sot mund ta përdorin edhe ata që e përdorin për të shkruar por edhe ata të cilët shërbehen me të për të lexuar.