9 Maj

Janë disa çaste në jetë kur i pret më së paku dhe të çojnë të mendosh atje ku nuk pret. Atje ku nuk ndoshta edhe don. Shtresat e holla, të tejdukshme të kujtimeve që të hedhin përtej përditshmërisë dhe pritjeve (mashtruese?) që ajo sjell.

Dhe pastaj deshe nuk deshe truri dhe imagjinata të kthejnë në një kohë e vend ku s’e ke pritur por ja që e ke parë dhe e ke bërë. Vetja të ngjet që ke qenë në qendër të atyre ngjarjeve në mikrokosmosin e zhvillimeve në familje, shkollë, fëmijëri, rini… Si një shirit filmik para dhe në ty sheh ata që ke dashur dhe vazhdon t’i duash. S’ka rëndësi nëse ende janë a s’janë pjesë e jetës sate. Vetëm i lëshohesh atij lumi kujtimesh me skena qetësie, trazime,  çaste lumturie apo trishtimi. Nuk ka asgjë që mundet njeriun ta ndal kur i ngjet ky kthim prapa.

Së paku jo kur je vet. Kur askush nuk të trazon në papritshmërinë e vijimit të rrjedhjes së kthimit prapa.

As fjalët nuk duhen për këtë vetmi.

Imazhe, imazhe, imazhe.

Trishtim për kohë që më nuk kthehen.

Mall i pafundmë për ata që më s’janë a s’i ke pranë dhe i ke dashur, i don aq fort.

Pafuqi për të nxjerrë a bërë fjalë për rrjedhat….