Dita e fundit e muajit Maj të vitit 2016. Këtë ditë vdes Rupert Neudeck. Një njeri e mik i madh. Mik i të gjithëve por edhe mik i secilit që e ka patur rastin e fatin ta takojë dhe shoqërohet me të.
Kam patur rastin edhe ta takoj edhe të jem mik i tij.
Kam shumë tregime për Neudeckun dhe ato janë të pafundme…
Kurrë s’do ta harroj vullnetin e tij për të ndihmuar gjatë luftës së Kosovës. Neudeck si humanist i masave. Kurrë s’do t’i harroj prezantimet e përbashkëta me të në TV e radio gjermane për Kosovën, Ballkanin. Animuesin e madh të gjermanëve për Ballkanin në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti. Dhe kurrë s’do ta harroj anën krejt private të tij, kur djali i W. Ischingerit i kishte marrë jetën vetes dhe në letrën e lamtumirës i kishte lënë porosinë babait të tij që trashëgimia e tij t’i lihet Neudeckut i cili duhej të ngriste një shkollë në Kosovë…
E kam të vështirë të flas e shkruaj për të kur shoh aq shumë shkrime, postime, kujtime, imazhe: nga njerëz të thjeshtë e deri tek qeveri e udhëheqës shtetesh që e kujtojnë.
Të gjithë bukur të parëndësishëm para veprës së pavdekshme dhe gadi të paimagjinueshme në kohën që e jetojmë: humanizmin!