Të shkosh në një vend që s’e ke parë shtatë vite dmth. të provosh t’i kthehesh vetvetes. Nga avioni i cili aterron në aeroportin “mbi ujë” Cagliari… deri tek rruga prej 70 kilometrash e cila nëse dikur ishte sa gjarpërore aq edhe e lartë tashti as që preket më pasi që sardianët kanë shtruar autostrada në mes të ishullit.
Jo nga to të shpifurat sa ato praktiket.
Siç është çdo gjë në këtë vend.
Një qetësi e cila i ngjet një pakti, një aleance mes banorëve e vizitorëve e cila sikur don t’u jep të gjithëve mesazhin e qartë: jeni në mes të detit. Në ishull. Të rrethuar nga pafuqia e çdo projeksioni apo ëndërre për të shikuar drejt tokës, nënqiellit në të cilin lajmet janë bërë jeta kurse vet jeta ka humbur kuptimin në vrapimin pas edhe më shumë mirëqenies dhe më shumë jetës e cila thuajse s’ka kuptim.
Via Belvedere. Det i pastër. Rrugica të pafundme. Njerëz (vendas?) të qetë. Vizitorë të çuditur prandaj edhe çuditshëm.
Sardenja. Ishulli në të cilin njeriu sheh më së shumti zviceranë dhe ishulli në të cilin edhe këta të fundit- duket që janë dorëzuar.
Në zallin e bardhë si bora, ujin e kthjellët si qielli, diellin që përcëllon dhe botën pothuajse të egër të cilën njeriu bile për disa ditë nuk duhet ta lakmojë (aspak).