Perlentaucher më ndihmon- si çdo të martë… prej më shumë se 15 vitesh të mësoj se sa dhe me çfarë peshojnë disa nga javoret më të mëdha të kësaj bote.
Të shkoj me radhë për këtë javë të fundit të këtij Tetori të vitit 2016.
Quarterly Conversation (SHBA( merret me kandidatët për Çmimin e Lirikës Szymborska-2016: Edward Pasewicz, Marta Podgórnik, Joanna Roszak, Marcin Świetlicki dhe Jakub Kornhauser. Ky i fundit edhe e ka fituar- poet që s’e kam dëgjuar kurrë më parë.
Espresso (Itali) çudit: Roberto Saviano- specialisti kujdestar për krejt temat globale të mafias e krimit- shkruan nekrolog të gjatë për Dario Fo.
New York Review of Books (SHBA) me një reportazh frikësues për Betejën e fundit për Mossul-in në Irak.
HVG (Hungari) merret me 70 vjetorin e Kryengritjes në Budapest dhe gjetiu në shtetin ish-komunist. Dhe pasojat e shuarjes/shtypjes së revoltave.
Aeon (Britani) britanikët nuk çudisin: merren me internetin në Rusinë e Putinit. Temë e rëndësishme sepse është një mister fuqia dhe ndikimi në krejt botën i hakerëve rusë- të cilët duket që nuk janë në bodrume por laboratore shteti… të Putinit.
El Pais Semanal (Spanjë) vjen me një rrëfim gjenial për autorin kolumbian Héctor Abad i cili pas sukseseve të fundit- në vend që të blen një apartament në Madrid ka vendosur të themelojë një Shtëpi Botuese- me një detyrë- promovimin e letërsisë së bashkëvendasve të tyre.
New Yorker (SHBA) Çfarë u bë me “Gjuhën universale të botës” (Esperanton)? Dështoi konstaton revista e rëndësishme e cila në një analizë të gjatë rrëfen që sot janë vetëm edhe 1000 njerëz në krejt botë që e kanë “gjuhë amtare”.
Polakët, çekët, francezët e të tjerët…mungojnë këtë javë. Kjo nuk dmth. që nuk do t’i shoh javën që vjen- javën e parë të Nëntorit.