Dua ta kthej kokën prapa dhe shoh shtigjet. Shqiptare. Dhe ndjej që largimi është edhe ngashënjimi që dikujt e dikujt duhet t’i kem bërë. Për t’u zhdukur në hullinë e vetvetes e cila më ka dredhur në një jetë e cila sërish, s’i përket askujt. Nga vëzhgimi deri tek vulosja. Si një tren rajonal i cili ndalet në stacionet e caktuara vite e dekada me radhë. Për shekuj (ende) s’guxoj të flas. Sepse “dikujt e dikujt” s’janë, s’do jenë as fusnota.
Kjo edhe për faktin që shpresat janë shuar. Terri dhe tmerri në të cilin me trishtim i shoh të njohurit e miqtë, të afërmit e kolegët, vazhdon t’i rrethojë gjithandej në cepet e Ballkanit e Europës.
Janë kapërthurur aq keq sa nuk shoh as edhe një shtegdalje për ta. Dhe bashkëndjej me ta. Ditë e natë. Mëngjes e mbrëmjes.
Nuk e kam të qartë edhe sa do të durojnë kështu. Kanë respektin tim më të thellë për durimin që vazhdojnë ta tregojnë.
Apo ta kenë pse s’kanë ku shkojnë?