29 Dhjetor

Një koleg i çmuar dhe mik i dashur në pranverën e vonë të vitit që po shkon më thoshte që të mos merrem më me këtë temën e vizave për qytetarët e Kosovës sepse ajo punë është kryer. “Kryer” në kuptimin që në pyetje ishin vetëm disa formalitete. I thoshja, jo me gëzim sa me dhembje, që s’ka viza. Sepse Kosova ka detyra tjera për të kryer. Fatura e Isës Kryeministër dhe Hashimit President është izolimi i mëtejshëm i 2 milion njerëzve. Borxhi i koalicionit PDK-LDK është Gjykata Speciale. Saldoja e mosrrëzimit të kësaj Qeverie të LDK-së (qe 26 vjet) dhe PDK-së (qe 17 vjet) do të shfaqet edhe vitin që vjen me krejt kthetrat prej monstre që shprehet në fytyrat e palumtura të rinisë, rrudhat e parakohshme të burrërisë dhe budallallëqeve  të politikës.

Këtij të Prishtinës (Hashimit) e atij të Tiranës (Edit) që për herë të parë në histori(në e re) shqiptarët i mbërthyen në një qorrokak të ri: atë të ftohjes së marrëdhënieve me Amerikën dhe Washingtonin.

Këtij të Prishtinës (Hashimit) i cili, i izoluar siç ka mbetur mes Burojës e Prishtinës s’ka si të mos merr mundin dhe shkojë e përkulet në oborrin e sulltan Erdoganit të të cilit krejt bota normale, krejt oksidenti i rrin aq larg.

Atij të Tiranës (Edit), i cili derisa provon të shesë fitore ka pësuar dy disfata të mëdha, sepse janë artistiko- historike. Artistike: kur kishte shpresuar që në galerinë e Zonjës Marian Goodman me 11 Nëntor do t’i shkonte edhe Presidentja e zgjedhur dhe mikja e tij, Hillary Clinton. Doli që Clinton humbi keq. Historike: kur me 28 Nëntor nga Berlini bashkë me Zonjën Merkel shqiptarëve do t’ua kumtonte lajmin për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE.  Doli që Merkel e lavdëroi Edin për guximin që ka të përballet me kriminelët që i ka rreth tij në politikë. Por negociatat nuk ia dha.

Për ta sjellur në pikë: kombi shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë… s’e ka vizionarin (njejës a shumës) që i tregon se nëse vazhdon avazi i vitit që shkoi bashkë me vitet tjera, do ta ketë të pamundur të ndjehet dhe bëhet pjesë e oksidentetit.  Sepse haraçet e luftërave për liri duket ende bartin tribute të pamëshirshme.

Kosova me izolim e krim. Shqipëria me krim e pa dënim. Maqedonia me kaos. Këta janë shqiptarët e Ballkanit.