05/01

Asgjë nuk është e rastësishme në këtë botë, në këtë jetë.  Më së paku në ditët e netët e sotme. Ditë e netë kur brenda ca sekondash, me ndihmën e kompjuterit, telefonit, internetit mund ta lexosh a shohësh historinë e planetit, oqeaneve, kontinenteve, shteteve, kombeve, luftërave, heronjve. Vetëm ca sekonda dhe mund të shohësh kush është kush. Prandaj tema nuk është më se kush ke qenë por vetëm ku do të dalësh. Dhe sidomos nëse ka algortima (edhe politike) për atë që të pret.

Ja psh. Amerika.  Tërë debati në Washington e New York pas fitores së Trumpit nuk është nëse dhe si Hillary gaboi por kur dhe si rusët arritën të futen në kompjuterët e superfuqisë që i thonë Amerikë.

Këtë gjë e mendoj derisa lexoj për dje ndalimin dhe sot paraburgosjen e Ramushit në EuroAirport Basel Mulhouse Freiburg. Dhe pyes veten: ka diçka që për Ramushin nuk gjen në internet?  Nuk ka.  Çdo gjë: nga të këqiat që zor se njeriu mund t’i paramendojë me logjikë të shëndoshë njerëzore e deri tek glorifikemet që s’i shkojnë as kohës e vendit as atij. Dhe pyetja tashti nuk është pra të kërkohet e kaluara e tij. Përfshirë edhe ajo e Tribunalit të Hagës.

Dilema duhet të jetë: cili kompjuter i cilit shtet a shërbim (superfuqi?) vendosi që ta fuste në përdorim të shkurtër këtë “ndalim” të tij.  Kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjem. As unë, as ti… as askush.

Patjetër që pasojat e kësaj ndalese do të dihen shpejt.  Krejt tjerat janë histori.  Dhe para së gjithash ironi.

Ironi së cilës kompjuteri zor që i ndihmon. Ngase algoritmet s’janë inteligjente. Përkundrazi: vrasin me akullësinë e përllogaritjes si ajri i këtij dimri fillimjanari.

Tekefundit është historia e konflikteve dhe luftërave ajo që na mëson: sa herë që dy perandori, kombe, të vogla e mëdha, të rëndësishme a parëndësishme, nëpër dekada e shekuj kanë ulur heshtat dhe i janë kthyer paqes e pastaj edhe bisedimeve, para se të bëjnë çdo gjë tjetër menjëherë kanë përmbyllur dy tema: çështjen e të pagjeturve dhe çështjen e të burgosurve.

Shqiptarët (e Kosovës) me Serbinë jo.

As që i kanë hapur (siç duhet këto dy tema) e lëre më që i kanë përmbyllur.

Pse? Sepse i kanë hyrë në punë Hashimit me kompani poaq sa Serbisë e cila e ka zor t’i tregojë krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve. Prandaj Serbia ia kthen Hashimit: e redukton krejt konfliktin e Kosovës në krimet që shqiptarët kanë bërë ndaj serbëve por edhe shqiptarëve. Dhe pastaj çudia që vjen tek llogaria që quhet: Gjykatë Speciale. Për të cilën Hashimi thotë që u bë sepse u vranë dëshmitarët.  Cilët dëshmitarë se? Dick Marty?

Kosova është keq. Aq keq sa këtij nënqielli në këtë terr politik, ekonomik, kulturor, psikologjik, shpirtëror e fizik i mbetet vetëm një ngushëllim: nuk e dijnë shumica e qytetarëve të atij vendi sa keq është sepse përndryshe qysh sonte do të ishin arratisur masovikisht. Burg për burg them se më mirë do ta kishin në Burgun e Ramushit sesa  në burgun që ua ka ngritur Hashimi me kompani.

Athua ta dijnë kompjuterët (e superfuqisë) këtë gjë?