Është mbrëmje dhe zakonisht në mbrëmje, nëse njeriu don të jetë i qetë, i preferohet një libër apo një film. Sepse përzierja e lajmeve të ditës me ato të tash-it nxit atë hutinë aq zor të përballueshme.
Sidomos nëse ka lajme të trishta.
I trishtë është lajmi i Adriatik Kelmendit për vdekjen e axhës së tij, shkrimtarit, përkthyesit, publicistit, Ramiz Kelmendit.
Nuk mund të them që kam patur miqësi me të por kemi patur një respekt të ndërsjellë i cili i tejkalonte përmasat e Prishtinës. Letërsia, gazetaria, përkthimet. Gjeografi e pafundme temash e bisedash: me apo pa njerëz tjerë në tavolinat e restoranteve të Prishtinës. Them restoranteve sepse Ramiz Kelmendi nuk ishte njeri i mejhaneve- gjë kjo që nuk mund ta them për veten time. (Tekefundit të qëndrosh mes mejhaneve e restoranteve është sekreti publik i jetës në Prishtinë). Ramizi nuk ka patur sekrete. Ose nëse ato i ka patur i mbante brenda mureve të dhomës së punës e shtëpisë së tij në Taslixhe. Jashtë, jashtë Ramizi ishte aristokrati i kryeqytetit. Jo orientali. Oksidentali në çdo drejtim: nga pamja prej një zotëriu me mirësjellje dhe aure prej perëndimori.
Ramizin e kam takuar në vitet 90 në kafe Koha, vendin përballë Pallatit të Shtypit dhe prej asaj kohe kanë filluar shkëmbimet. Për përkthimet e tij dhe gazetarinë e tij, letërsinë e tij dhe atdhedashurinë e tij.
Të gjitha këto më së bukuri janë të përshkruara në librin e djali të tij, Migjenit, tek “Gryka e Kohës”. Një monument për babain. Antidot i “Letrës Babait” të Franz Kafkës. Sa jemi shoqëruar me Migjenin kurrë s’ia kam thënë këtë gjë: po të ishte ndalur tek përshkrimi i drekave me Babain e tij i cili nga dhoma e punës u tregonte për atë sa i madh ishte “ky Marques”-i, “Gryka e kohës” do të mund të kishte dalur një libër i pashkruar më parë në shqip.
Po të ishin para të gjitha ato shkronja që Ramiz Kelmendi ka shkruar, shtypur, botuar në gjuhën shqipe: nga novelat, romanet, përkthimet, artikujt e esetë e tij… do të ishte një prej pasanikëve më të mëdhenjë të atij nënqielli! Sa shkronja, sa faqe librash e gazetash, sa dashuri për shqipen dhe shqiptarinë e kishte ky njeri! I papërmirësueshëm me optimizmin dhe dashurinë e tij për kolegët, rininë, shtampën e shtypur në shqip.
Dy figurat më markante të Prishtinës, prejse e njoh këtë qytet, në krejt paraditet e tyre ishin Ali Podrimja e Ramiz Kelmendi. Njëri: kaotiku dhe poeti në shpirt, trup, tru. Tjetri: Gentleman-i. Njëri: polarizuesi. Tjetri: paqedashësi dhe dashamiri. Poeti i popullit dhe Kronisti i Kohës.
Kujtimi për ta është i përjetshëm.
Sepse ditën dhe arritën të bëjnë diçka që shpesh harrohet: ndërtuan bazat e asaj pak që sot Kosova ka. Kulturën e Arsimin, gazetarinë e letërsinë.