06:10
Një e dielë kur e din çka don dhe nuk e din, ke frikë, nëse do të arrish të bësh atë që don.
Çmimi i fundjavës është gjithmonë ky: të papriturës të mos i jepësh shansin ta shkatërrojë të priturën.
18:54
Është Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi ai që në mesditë nga salla për gazetarë në Beograd përmes mediave të tij (dhe në Serbi nuk ka mbetur as edhe një medium me zë që ky nuk e kontrollon) ia kumton Isa Mustafës vendin dhe përbërjen e takimit të radhës (të martën në mbrëmje bashkë me Toma Grobarin dhe Hashimin).
Dhe derisa lajmi në fjalë merr dheun, Isa i lajmeve të mira, Isa i padurueshëm në plogështinë e tij e cila ia ka hequr edhe qimen e fundit të dikur zotnillëkut, merret me ca formulime banale për demarkacionin e asociacionin. Them banale sepse në krejt këtë Qeverisje të tij jo veç që çdo gjë po shkon aq keq dhe aq mbrapsht sa nuk e di ku e kanë fuqinë këta njerëz të durojnë gjithë këtë zymti e cila ua ka pllakosur edhe shpresat e fundit për ditë më të mira, për pak dritë në tunelin e mbushur me terr dëshpërimi Kosove.
Që Hashimi e Toma do të shkojnë në dialog flet për atë që këta të Prishtinës edhe njëherë do të bien pre e lojërave të këqia, lojërave dinake të “naprednjak”-ëve të Beogradit për nevojat e tyre. Sepse kur njeriu vetëm sheh një kronologji të krejt dialogut dhe bisedimeve që Kosova ka patur me Serbinë në këto vite (30 Takime në nivel Kryeministror nga viti 2012) atëherë nuk ka si të mos lind dyshimi/pyetja: për çfarë duhet të kenë folur tërë këto vite e këto takime? Dhe para së gjithash kujt i kanë i është dashur ky “maraton” i jo, zgjidhjes së çështjeve diskutabile sa nevojave për instrumentalizim të brendshëm të Kosovës në Serbi dhe Serbisë në Kosovë?
Janë një seri pyetjesh që sidomos para Hashimit dalin para këtij dialogu. Para këtij sepse është asimetria e jo rëndësia ajo që e bëri italianen t’i ftojë edhe presidentët. Tekefundit e dijnë në Bruksel e Berlin që si Isa ashtu edhe Toma në atë takim janë vetëm figurantë që nuk do ta kenë kontinuitetin e vazhdimit të bisedimeve në fjalë. I pari nga pranvera nuk do të jetë më President i Serbisë dhe i dyti më së largu nga vjeshta do të jetë një pensionist në politikën e Prishtinës.
Hashimi pra, në cilësinë e Presidentit dhe me të edhe Isa në cilësinë e Kryeministrit duhet t’na e shpjegojnë pse po pranojnë të ulen në tavolinë me urdhërdhënësit e ndërtimit të murit, arrestimit të Ramushit, nisjes së trenit për Mitrovicë, planifikimit të formimit ilegal të Asociacionit.
Cila është nevoja dhe para së gjithash rëndësia që ky dialog të vazhdojë kur në fakt çdo gjë është dialoguar me Beogradin ka shkuar vetëm në favor të Beogradit dhe dëm të Prishtinës?
Para së gjithash, a janë të vetëdijshëm Hashimi në cilësinë e Presidentit dhe Isa në të Kryeministrit që shkuarja e tyre në Bruksel këto ditë dhe këto çaste nuk paraqet gjë tjetër veçse një truk të ri, një kurth të radhës, që krerët e shtetit të brishtë të Kosovës po i bëjnë popullit të tyre i cili edhe ashtu vazhdon ta ndjejë pasigurinë e rikonfigurimit të ri të planetit pas zgjedhjes së Presidentit të Amerikës, lidhjes së Aleancave të reja globale, rreziqeve të përkrahjeve tjera që mund të ngjajnë etj.etj.
Them se vajtja e tyre në Bruksel përbën më shumë se lëndim për Kosovën. Ky hap është shprehje dhe rikonfirmim i budallallëkut të tyre politik. Hashimit për të qëndruar në trendin e mbijetesës në diplomacinë e krizave para mundësisë së një aktakuze të mundshme nga Gjykata Speciale. Isës për t’i shërbyer këtij sepse e din që ditët i ka të numëruara në postin e tij të Kryeministrit.
Por ja që do e bëjnë sepse nuk ka kush t’i ndalojë. As shkronja e aq më pak dashuria për atë Kosovë të këputur që e kanë thyer në kurriz me korrupsion, krim, varfëri, izolim, pashpresë e katandisje që nuk ia gjen shoqen në Kontinent.
Prandaj edhe fshehen si strucat dhe e lënë Vuçiqin të tregojë edhe për takimin edhe për temat e takimit. Për rezultatet po se po.
Kjo është Kosova.
Me një Kryeministër të kapur nga “partneri”. Me një President që jeton në ankth nga frika e Aktakuzës së speciales. Dhe me një dialog i cili nuk ka si të mos pranohet që po udhëheqet nga një Beograd dhe Vuçiqi i cili këtë vend po e shkel kur e si po don!
Kosova e fillimvitit 2017 është më e plogështa në historinë e saj më të re.