13/02

1.

Nuk ka ditë më të keqe në jetën e një njeriu sesa kur e nis një punë dhe në kalendar është e shkruar data 13. Qoftë e premte apo jo data 13 është… datë e ditë e keqe.

Është ky mendimi i parë që më shkon ndërmend kur shoh Hashimin sesi i ka mbledhur të gjithë në Tavolinën e tij: parinë e LDK-së e PDK-së, ambasadorët e vendeve perëndimore, aparatçikë shteti dhe para së gjithash mediat… Shumica prej të cilave të dëgjueshme a injorante por edhe asosh që derisa e mbante mbledhjen… ia thyen dhëmbët dhe ia thanë që e ka zor, e ka bile të pamundshme të formojë një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin: bazuar në modele të ndryshme botërore.

Në këtë iniciativë të tij ka cinizëm dhe perveristet. Më i madhi është në fjalinë e tij të postuar në FB kur thotë:

“Pajtimi i parë dhe më i shpejt shqiptaro-serb ka ndodhur mes familjarëve të të pagjeturve, të cilët janë bërë bashkë në dhimbje dhe e kanë njohur njëri-tjetrin përmes dhimbjeve të tyre.”

Është cinike të thuhet që familjarët e të pagjeturve janë “bërë bashkë” dhe kanë njohur “njëri-tjetrin” përmes “dhimbjeve” të tyre.

Kjo edhe mund të jetë e vërtetë. Por vetëm gjysma e saj- dhe këtu fillon perversiteti politik- sepse Hashimi me këtë rast bën atë që Serbia gjithmonë ka dashur ta bëjë: shëndërrimin e luftës për liri të shqiptarëve në një luftë agresorësh (shqiptarë) ndaj Serbisë (me Kosovën në të) dhe serbëve.

Fakti i parë: Hashimi nuk e thotë numrin e të pagjeturve (t’u themi shqip: zhdukurve, vrarëve) shqiptarë me ata serbë.  Janë dhjetë herë shqiptarë më shumë të pagjetur se serbë.

Fakti i dytë: si ka mundur dhe si mundet Hashimi të flasë për të pagjeturit shqiptarë dhe ata serbë barazi kur dihet që të parët dihet se ku janë. E din shteti serb se në cilët frigoriferë kamionët, nën cilat asfalte dhe oborre i ka masakruar dhe varrosur. Serbia është me trupa shqiptarësh dhe për këtë as Hashimi e as argatët e tij duke nisur nga Edita e deri tek Isa kurrë nuk e morën guximin ta sqarojnë në Dialogun me Daçiqin e Vuçiqin të cilët e kanë të shkruar në raporte të detajuara të UDB-ave serbe se ku janë.

Fakti i tretë: zhdukja e serbëve të Kosovës po që është tragjike dhe për këtë shqiptarëve edhe do t’ju gjykohet në Gjykatën Speciale në Hagë!  Serbëve jo. Shqiptarëve do t’u gjykohet dyfish: në Hagë në kuadër të ICTY dhe tash me Specialen…. Serbët e kanë mbyllur kapitullin e tyre (juridik) me Kosovën!

Këtu duhet të ndalem.

2.

Para syve më dalin sfilatat e Presidentit Hashim, nëpër vendbanimet me serbë: ish çetnikë tash me shtetësi të Serbisë dhe Kosovës të cilët në vitet 1998/9 masakronin shqiptarët, u dhunonin gratë e motrat, me bajoneta ua thernin fëmijët në djepa. Këta, pikërisht këta serbë i vizitonte Hashimi: presidenti i të gjithë “qytetarëve” të Kosovës.

Pyetja që me këtë rast shtrohet është kjo: kënd don Hashimi ta angazhojë në këtë Komision? Akademikët? Ata i ka zënë nëpër malet e Grykës së Rugovës … duke “matur” territore për Demarkacionin. Ose nëpër mejhanet e tyre duke shitur a blerë ndonjë titull, apo recension Facebook-u.  Apo ndoshta don t’i merr pjestarët e “shoqërisë civile”?   Edhe këta i ka të shpërndarë gjithandej para Ambasadave duke aplikuar për viza për ndonjë udhëtim në Europë.  Opozitën? Cilën opozitë. Ramushin e ka (ndalur?) në Francë dhe derisa nga hotelet e rrugët e Straßburg-ut Ramushit i duhet të kacafytet me makinerinë propagandistike të sozive të Milosheviqit dhe të bëjë luftë virtuale me Ivica Daçiqin, nëse jo vet Hashimi, atëherë së paku, Enveri, Enver Hoxhaj, a nuk do të ishte e rendit që nga pozita e tij t’ia cicërojë nja dy fjalë homologut Daçiqit?! Nuk i reagon Enveri Daçiqit… sepse ia pret gishtat Hashimi!

Përgjigja në pyetjen e sipërpërmendur se pse Hashimi po don Komision… për të Vërtetën e Pajtimin është e thjeshtë: Hashimi është në zor. Hashimi nuk e din ende a është në listën e të Akuzuarve në Gjykatën Speciale për krime të luftës në Kosovë. Hetimet që janë zhvilluar dhe ende po zhvillohen kundër tij do të mbyllen këto ditë dhe rezultati i tyre do të dihet në fund të këtij muaji. Prandaj: për çdo eventualitet, Hashimi don të sigurojë për imazhin e tij si i pari i Kosovës. U arrestua apo jo: në Hagë do të shkojnë edhe plot njerëz të tij të cilët atje pastaj do të shërbehen edhe me këto makiazhe Komisionesh… që ky tash i ka nisur.

Fare për fund një fakt që Hashimi nuk e din, ose edhe e din por nuk mundet as të ballafaqohet me të.

Aq shumë e ka kapërthurur këtë historinë e Kosovës prej kohës së qëndrimit në Tiranë (Ali Uka!…), daljes së tij të parë publike në cilësinë e shefit të UÇK-së përmes pasluftës e deri në ditët e sotme- që i bie se janë 18 vjet prani permanente të tij në çdo zhvillim, saqë kësaj Kosovës së sotme, kështu siç është rraspkapitur dhe rrëgjuar nuk i duhet kurrfarë Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin!

Është vet Hashimi ai që i duhet një Komision për të Vërtetën e Pajtimin e Hashimit me Hashimin!

Me 13 Shkurt të vitit 2017.