I.
Janë orët e fundit të datës 17 Shkurt në vitin 2017.
Çdo sekondë që ftillon nga 00:00 e datës 18 Shkurt të 2017 deri në 17 Shkurtin e vitit 2018 do të shkojë drejtës 10-ës. 10 vjetorit të Shtetësisë së Kosovës.
Sikur sot para 9 vitesh njeriu, shqiptari i Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Preshevës, Plavës, Shkodrës, Stuttgartit, Berlinit, Brukselit, Amsterdamit, New Yorkut, Bostonit… e din se ku ishte para 9 vitesh. Ngjarjet e mëdha janë të lidhura fuqishëm me kujtesën tronditëse. Pozitive apo negative. Në atë çast isha “këtu” apo “atje”.
Ku do të jetë ky shqiptar në 10 vjetorin e vitit që po hyn?
Them se shqiptari i Kosovës, Republikës së re të Europës, do të vazhdojë të qëndrojë aty ku është: në strukje e izolim, pritje e dëshpërim.
Shqiptari i Shqipërisë, Maqedonisë, Luginës, Malit të Zi.. do t’i avitet edhe pak Europës. Me zor.
Por me dhe në zorin më të madh do të vazhdojë të jetë i mbërthyer shqiptari i Kosovës. Në mëdyshjen e të qenmit “Europiani i ri” dhe “Shqiptari i përçmuar”.
Kosova hyn në vitin e 10 të pavarësisë si asnjëherë më e dërmuar dhe zhgënjyer. Nuk ka asgjë që këtë Kosovë dhe shtetasit e saj i bën të ndjehen krenar me atë vend në të cilin jetojnë. Sepse politika e dy Korportave të mëdha politike (PDK e LDK) e lidhur me krimin, korrupsionin, familjarizmin, klientelizmin, varfërinë, mjerimin, papunësinë, imoralitetin, mosarsimimin, mosedukimin… e ka shëndërruar një popull kaq të ri në një turmë pa kompas dhe senile. As ëndërrat e Facebook-ut e Televizorit më s’po i japin delir shprese të mjerit shqiptar të Kosovës!
II.
Si të çlirohemi nga ta (korportat) kur këso radhe jemi të vetmuar. Është kjo dilema për të cilën sot në NZZ kishte folur edhe Vetoni.
Dhe del se tash për tash duket e pamundshme të ngjajë ajo lëvizje edhepse vazhdoj t’i rri mendimit që vetëm nëse bëhen bashkë tre (ish) të burgosurit (Ramushi, Fatmiri, Albini) mund të nisë një ortek i cili do t’i shporrë prej karrigave dhe shpërndajë atje ku e kanë vendin: në pluhurin e harresës (së viteve 90) apo qelitë e Speciales në Hagë…
Nuk do t’i ndihmojnë kësaj Kosove kështu as zgjedhjet e parakohshme as matematikat e koalicioneve para e paszgjedhore. Kosova duhet të shkundet keq. Qoftë edhe me trandje të pranisë së demonstratave gjithëpopullore me krejt grimasat e patoseve që u shkojnë këtyre lëvizjeve- përfshirë edhe sakrificat.
Ndryshe edhe ky vit do të shkojë huq.
Dhe me këtë rast nuk duhet llogaritur në askënd. Të tre këta: Haradinaj, Limaj e Kurti duhet ta dijnë që prapa vetes s’i kanë as elitat intelektuale, as administratën, as punëtorët e thjeshtë e as kandidatët për vende pune të mundshme. Bile as veteranët në lista s’do t’i kenë prapa vetes. Sepse Korporatat (PDK/LDK) kanë një sistem sa interesant aq edhe frikësues: më s’funksionojnë as me valutë (euro, dollarë, lekë a dinarë) e lëre më tender. Jo. Valuta e vetme e shtetit që i thonë Kosovë është njeriu: njeriun e kanë shëndërruar në skllav dhe vet janë pronarët e tij. Në sistemin: Unë t’i jap ty 5 (njerëz!) Ti mua m’i jep 10 (po njerëz!). E tmerrshme. Dhe vërtetë.
Kjo lakuriqësi e kësaj gjendjeje prej marrëdhëniesh skllavo-pronare ka nisur të nxjerr shëmtinë e vet në të gjitha trajtat. Dhe s’e ka jetën e gjatë. Në vitin e dhjetë të kësaj ekzistence me letra dhe në të 17 vit të gjendjes faktike, janë edhe dy masa të mëdha, të padukshme të cilat në shikim të parë s’lidhen me asgjë por për këtë këtë vit do të nisin diçka: shporrjen e këtij regjimi pronarësh të njerëzve.
Është ai 60 përqindëshi i Kosovës 2 milionëshe që e urren dhe sheh me pështirosje këtë regjim dhe është në gjendje ta luftojë. Dhe është ai 1 milionëshi i shqiptarëve të Gjermanisë, Zvicrës, Skandinavisë e Amerikës i cili është në gjendje që edhe njëherë t’i futet avanturës që të shkrijë çdo gjë (materalisht dhe jo vetëm) në mënyrë që të hiqet qafe ai turp që atë vend po shkel dhe po e shtyp!
Kur të ngjizen këta dy faktorë lëvizjes së re nuk do t’i duhet më asgjë nga myku akademiko intelektual i mejhaneve të Prishtinës që jeton me suksese orgjish Facebook-u apo botimesh induse a arabe.
Nëse në këtë prag ndërrim të ditëlindjes së 9 për të 10-ën më pyesni se kur dhe si do të ngjajë ky ndryshim atëherë do të them që nuk e di. Por ajo që di është vetëm se diçka duhet të ngjajë sepse kështu si është ky vend nuk është mirë. Ose: është aq keq sa kjo e keqe ndjehet dhe shihet në e me çdo gjë.
Dhe kjo e keqe do të vazhdojë jo veç edhe në vitin e 10 të shtetësisë por mund të vazhdojë edhe për 100 vjet tjera- nëse nuk ngjet diçka e madhe, diçka e rëndësishme, diçka që do t’i shporrë këta monstra që kësaj Kosove po ia pijnë edhe pikën e fundit të gjakut!
Natën e mirë Kosova ime e dashur dhe robëruar!
Mirmëngjesi Kosova ime e izoluar në vetminë e madhe e cila do të të përcjellë derisa të mos e gjesh fuqinë të çlirohesh!