29/03

Nëntorin e vitit të kaluar Kryeministri i atëhershëm (dhe i tashëm) i Gruzisë, Giorgi Kwirikaschwili qëndroi në Berlin si i ftuar i Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel. Pos ndikimit dhe frikës nga Cari i Moskës, Putini, tema ishte takimit e shkruar: Kwirikaschwili kërkonte bekimin e Angela Merkel që t’i vërtetonte premtimin që Brukseli Gruzianëve u kishte dhënë: nga dhjetori shtetasit e tij të mund të udhëtonin pa viza në Europë.

Por Angela Merkel i tha “jo”.

Dhe e udhëzoi: shko në vend, organizoi zgjedhjet dhe pas tyre- në pranverë qytetarët e vendit tënd do të udhëtojnë në Europë pa viza. Pa iu trembur syri dhe përkundër rrezikut që gruzianët kanë shkallën më të lartë të kriminalitetit në Gjermani, ajo ia bëri këtë premtim homologut të saj.

Giorgi Kwirikaschwili u kthye në vendin e tij me premtimin në xhep dhe organizoi zgjedhjet të cilat i fitoi.

Nga data 29 Mars Gruzianët udhëtojnë në BE pa viza.

Në Kosovën e vogël, ky lajm mezi u shënua dhe gëlltit.

Nuk ka Qeveri prejse shteti është i pavarur që s’ka premtuar që vitin që “vjen” do të udhëtojnë pa viza.
Bizariteti i situatës në vendin e vetëm të Europës ku 2 Milionë banorë jetojnë si në burg është ky: viza këtë vit nuk ka. Ata që thonë se vizat mund të merren vitin që vjen mashtrohen ose nuk e dijnë: nëse zgjedhjet nuk mbahen këtë vit, atëherë një Kancelare (Merkel) ose Kancelar (Schulz) do të kërkonin vitin që vjen “zgjedhje” demokratike.

Prandaj sa më shpejt që do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme aq më mirë do të jetë për Kosovën. Sepse ky vend nuk ka patur kurrë Qeveri më të dobët dhe më jo efikase. Arritjet e saj mund të numërohen në tri: Zgjedhja e Isa Mustafës Kryeministër, Blerja e postit të Hashim Thaçit për President (me Terminale, Ambasadore/ë… e çka jo tjetër) dhe votimi i Gjykatës Speciale.

Çdo gjë tjetër që kjo Qeveri ka prekur ka dështuar.

Në Demarkacion, Dialog, luftë korrupsionit, zbutje të papunësisë e varfërisë…
Dhe çdo Qeveritar që do të dalë ta kërkojë votën me premtime për vende pune apo liberalizim vizash… do të mund ta bëjë këtë gjë: në televizor, në Facebook apo edhe në tubime me të punësuarit e vet. Me popullin në rrugë: jo!