21/05

Mimo dhe Niki!

 

Derisa fqinji im, le ta quajmë zoti Meinwald, i cili banon në katin e parë të shtëpisë nën kulmin e së cilës jetoj edhe unë në katin e dytë, nuk shihet gjatë tërë ditës, janë mbrëmjet dhe orët e vona të natës ato të cilat e bëjnë atë të shihet dhe sidomos dëgjohet.

Zoti Meinwald nuk duhet të jetë më shumë se 50 vjeçar. Është i martuar ose së paku bashkëjeton me një grua e cila është dukshëm me re se ai. Shpeshherë ai i ngjyen flokët e tij me ngjyrë të kuqe kurse për t’u parë është vetëm në mbrëmje sepse gjatë tërë ditës dhe gjatë tërë javës ai punon. Duhet të punojë në një firmë elektrike pasi që makina të cilën ai e nget nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, mban mbishkrimin e një firme elektrike. Për gruan e tij nuk e di se çfarë punon. E vetmja gjë që për të di është që edhe ajo ka makinën e saj dhe çdo mëngjes, ashtu sikurse burri i saj, edhe ajo shkon në punë për t’u kthyer në orët e vona të mbrëmjes.

Zotin Meinwald e shoh rrallë. Ndonjëherë në mbrëmje kur zbres deri në bodrum për të marrë ndonjë shishe verë apo birrë takohemi në shkallë. Shumë fjalë për të ndërruar me nuk kemi. E tëra që për njëri-tjetrin kemi është një “mirëmbrëma” apo një “përshëndetje”. Edhe ai merr birrat e  tij (shishe vere nuk i kam parë kurrë në dorë) dhe futet në dhomë.

Zoti Meinwald me gruan e tij nuk kanë fëmijë. Por për këtë ata i kanë dy mace. Njëra quhet Mimo kurse tjetra- e cila në bazë të emrit duhet të jetë mace mashkull, quhet Niki. Tërë kjo lagje e qetë në periferinë e Frankfurtit, ka mace. Por ato që tashmë i njoh janë Mimo dhe Niki. Gjithmonë e pyes veten se çfarë Mimo dhe Niki bëjnë tërë ditën derisa të zotët e tyre janë jashta shtëpisë. Si ushqehen? Në bodrum nuk ka ushqim të gatshëm për to. Në oborrin i cili nuk është aq edhe i vogël jo se jo. Apo ndoshta u mjafton vetëm darka që në mbrëmje hanë në apartamentin e Zotit dhe Zonjës Meinwald. Mirëpo, poqese është kështu, atëherë pse ngjan që si Mimo ashtu edhe Niki me aq përtesë futen brenda. Jo rrallë nga dritarja e kuzhinës sime e dëgjoj zërin e trashë, nganjëherë të përdredhur (nga birrat) të zotit Meivard “Mimooooo”, “Niiiiki”, “Mimooo”, “Nikiiii”!….

I thërret. Ngjan të jetë edhe ora 1 pas mesnate dhe të gjithë duhet ta dëgjojmë atë sesi i thërret macet e tij.

Siç e thash edhe më lartë, atë pranverë të vitit 2003 jetoja në periferi të Frankfurtit dhe nuk mund të them që ishte një kohë e lehtë për mua. Kontrata dhe oferta për përkthime kishte pak apo aspak. Rropatesha me ca aktakuza dhe inçizime telefonike që policia gjermane m’i dërgonte nga përgjimet që u bënte shitësve shqiptarë të drogës në “Kaiserstrasse” dhe kjo ishte e tëra. Thirrje nga revista apo gazeta për të bërë ndonjë përkthim të madh, ku do të dilte ndonjë para e mirë nuk kishte. Rezervat nga paratë e tubuara gjatë kohës së luftës, tashti katër vite mëpas kishin filluar të shterronin. Dhe me zor i dilja në krye që të hiqja qafe të gjitha shpenzimet që mbi kurriz më rëndonin. Qiraja e lartë për banim, uji, mbeturinat, rryma, telefonët, ushqimi, daljet e rralluara të cilat gjithmonë përfundonin me ekstaza e kështu me radhë e kështu me radhë.

Kjo situatë jetësore do të duhej të ishte shkaku pse kisha aq shumë kohë të përcillja mënyrën e jetës së fqinjit. Jetë kjo fare normale. Mes tij, gruas së tij dhe Mimos e Nikit.

Disi kisha dëshirë të ndalesha njëherë dhe të flisja me zotin Meinwald. T’i tregoja për mikun tim nga Prishtina, Justinianin. Edhe Justiniani, gjatë kohës sa atje jetoja dhe studioja kishte mace. Por ai kishte edhe fëmijë. 9 mace dhe 6 fëmijë. Gjatë luftës së Kosovës, Justiniani me bashkëshorten dhe fëmijët kishte mundur të shpëtonte nga terrori dhe thikat serbe por jo edhe shtëpia dhe macet e tij. 7 nga 9 macet ishin djegur apo ishin zhdukur në atë kohë sa nga qielli i Kosovës binin bombat kurse në tokë ishte përhapur mortaja vrastare e paramiltarëve… Justiniani nuk kishte vajtuar shumë as për macet as për shtëpinë. E kishte marrë veten, kishte ndërtuar një shtëpi të re dhe të bukur dhe në vend të maceve tashti kishte një qen të zi dhe të bukur. Frikshëm të bukur.

Kisha vendosur t’i tregoja zotit Meinwald sesi miku im nuk kishte kurrë probleme me atë që macet e tij t’i thërriste vonë në mbrëmje, apo t’i kërkonte nëpër oborrin e shtëpisë së tij. Jo. Ato e kishin katin e tyre përdhesë dhe jetonin aty fare mirë. E vetmja gjë që Justiniani bënte për to ishte servimi i ushqimit. Nganjëherë këtë gjë e bënin edhe fëmijët e tij.

Derisa dy apo tre mbrëmje me radhë vendosa që ta takoja rastësisht me dashje zotin Meinwald në shkallët e bodrumit tonë të përbashkët, disi nuk më shkonte kjo punë përdore. Nëse unë zbrisja poshtë nga kati i dytë ai futej në dhomën e tij. Nëse unë ngjitesha në dhomën time nga bodrumi ai dilte dhe zbriste të kërkonte macen apo merrte ndonjë birrë. Doja që njëherë e përgjithmonë ta thyeja akullin e vetëm një përshëndetjeje kurtoazie.

Mirëpo disi nuk donte të ngjante kjo gjë. Derisa dalngadalë fillova ta harroj këtë gjë (puna kishte filluar disi të shtohej dhe të më merrte me vete), edhe ngjau që zotin Meinwald e takova në hyrjen kryesore të shtëpisë. Në dorë e kishte Mimon.

“Ku është Niki?”, e pyeta pa i thënë mirëmbrëma.

“Niki… Më më mirë mos pyetni… Niki ka vdekur. Gruaja ka shpëtuar. Kanë patur një aksident me makinë. Faji ishte i gruas natyrisht. Tashti është edhe në spital edhe duhet të paguajmë një dreq e gjysmë për palën që ka dëmtuar me makinë. Mos pyesni… Një situatë e rëndë”, më tha Zoti Meinwald dhe iku drejt dhomës së tij.

U trishtova.Mendoja në Justinianin. Dhe në një thënie të moçme që “Nëse macja i ka nëntë shpirtëra, njeriut i lejohen 9 gabime”…