Kujtimi për Katin…
“Dy beteja është duke i bërë dhe ta them se jam e bindur që njëra është e varur me tjerën. Duhet që t’i mundë tensionin e lartë të gjakut dhe gjyqin… Çfarë beson ti? Si a do t’ia arrijë?!”, më pyeste Kati, një kolege e moshës 40 vjeçare në oborrin e Gjyqit derisa bënim pauzën e drekës dhe këtë e shdrytëzonim që pas ushqimit, të ndeznim nga një cigare.
Isha betuar para vetes dhe gjithë rrethit të të njohurve që më nuk do ta ndezja atë të mallkuar kurrë më. Por kishte rënë kjo punë këtu në këtë gjyq që më bënte ta ndezja patjetër. Tekefundit, tekefundit asnjë prej miqve as të njohurve nuk ishte aty ku isha unë dhe për këtë shkak mund të pija ato dy javë sa do qëndroja aty. Një koleg ishte sëmurë dhe papritmas më kishte ardhur një ftesë që për ato dy javë të shkoja atje dhe të përktheja në vend të kolegut. Një punë jo edhe aq e lehtë por për këtë shumë e lëvërdishme. Për ato dy javë pune aty, mbyllur në kabinë brenda në sallë, fitoja më shumë se në gjyqet gjermane për tre apo katër muaj me radhë.
“Pse jo”, i thash në telefon zonjës nga Gjyqi që më mori në telefon dhe të nesërmen mora trenin e shpejtë i cili më solli në vendin ku çdo gjë ishte planifikuar për mua. Hoteli, orari i punës, darkat me kolegët dhe koleget e kështu me radhë.
“Ta them të drejtën, nuk e di. Dhe para së gjithash nuk e di sepse nëse do të mund ta paramendoja veten në situatën e çdo qenieje në këtë botë, në situatën e këtij njeriu nuk e shoh veten në asnjë mënyrë!”, iu përgjigja Katit të cilën e kisha njoftuar qysh mëngjesin e parë të punës sime të përkohshme.
“Mirë, por kjo nuk përjashton mundësinë që së paku të supozosh si do të bëhet?”, më pyeti ajo duke më bërë kështu që të besoja që Kati insistonte të më nxjerrte së paku një mendim, një qëndrim për punën e tij.
“Nuk e di çfarë të të them, ndoshta betejën me gjyqin edhe mundet ta fiton… por këtë me tensionin e lartë nuk ka gjasa ta fitojë… E din pse? Sepse e ka zënë gjaku i derdhur i mija të pafajshmëve!…”, i thash ngutazi, duke e shkelur cigaren me këmbë fuqishëm dhe duke u hamendur a të ndezi edhe një apo jo sepse pauza nuk zgjaste edhe më shumë se 10 minuta.
Kati e kuptoi që nuk doja më të flisja për atë punë. Kisha përshtypjen që kishte ndërgjegjen e vrarë që më kishte detyruar të flisja për një temë që nuk parapëlqeja. Që vetja i dukej si një idioteje që don të merret me ekzotët e Ballkanit që nuk kanë apo nuk dijnë punë tjetër pos ta vrasin e gëlltisin njëri- tjetrin. Meqë kabina e saj ishte përskaj times në sallën e gjyqit, pos profileve, kohë pas kohe mund edhe t’ia hedhnim ndonjë shikim keqardhjeje njëri-tjetrit, sidomos kur dëshmitë ishin tronditëse, apo edhe buzëqeshjeje kur tensioni i tij ngjitej aq shumë saqë bënte tërë sallën të qeshej dhe jo vetëm neve. Atë pasdite nuk kishte asgjë nga ato shikime. Edhe në darkë me kolegët më nuk u ulëm më pranë njëri-tjetrit. Diçka ishte thyer mes nesh. As të nesërmen paradite. Në drekë cigaren e pija vet në shkallët e oborrit të vogël dhe të rrethuar të gjyqit, kurse Kati as që dukej dikund. Kapitulli me Katin u mbyll. Nuk ndjehesha as i pikëlluar as i trazuar. Më së tepërmi ndjehesha i lodhur. Më tepër se i lodhur. Mallkoja zotin dhe veten që kisha pranuar ta bëja atë punë. Vetëm tashti e dija shkakun pse kolegu im të cilin kisha pranuar ta zëvendësoja ishte sëmurë. Të gjithë ata përkthyes aty duhet të jenë në një mënyrë a tjetrën të sëmurë, i thoshja vetes çdo mëngjes që dilja nga dhoma e hotelit. Dhe çdo mbrëmje kur shtrihesha në shpindë për të provuar t’i mbyllja sytë në atë vend të çuditshëm.
Ditën e fundit pas dy javësh pune nuk dija çfarë të mendoja. E ngushëlloja veten që aty nuk isha të mendoj por të punoj. Ta bëj atë që të tjerët ma thoshin. Dhe tash kur mblidhja valixhen disi ndjeja keqardhje që shkoja. Më vinte keq edhe për Katin e cila kishte vazhduar që me fanatizëm të më qëndronte sa më larg. Që të mos ma lëndonte sedrën? Nuk e di. Por i urrej ndarjet pa lamtumira. Diçka mes nesh ishte thyer dhe kthim mbrapa nuk kishte më. Mbase ishte ky dënimi më i duhur për të dy ne: për të që kishte insistuar me çdo kusht të më fuste në vallen e pafundme të bisedave të kota dhe për mua që nuk kisha pranuar të hyj në atë lojë.
Stacioni i trenave ishte mbushur plot me njerëz. Çdo gjë gumëzhinte. Edhe ata që ishin ulur në restorane apo kafe kisha përshtypjen që ishin duke lëvizur nga vendet e tyre. Nuk duhej të isha i mençur të supozoja që edhe treni im do të ishte poaq i mbushur. Për fat kisha rezervimin dhe kjo më bënte të besoj që do të ulesha së paku në gjatë asaj rruge e cila zgjaste më shumë se pesë orë. Kisha fjetur keq dhe pak.
Mundohesha të mos mendoja më në Katin. Doja ta mbyllja atë kapitull me çdo kusht. Më mirë ishte për mua të mendoja se sa posta dhe sidomos sa llogaritë më prisnin në kutinë time të shtëpisë. Të gjitha do t’i mbuloja me fitimin që kisha bërë ato dy javë.
Nga dritarja e trenit shikoja qiellin. Ishte i mbyllur me re të përhitura. Sikurse të çahej njëherë ky qiell. Bile për ca minuta. Ta prekja njëherë atë kaltërsi me një shikim. Dhe të mos mendoja më në Katin.