25/05

Ditë e diel!

 

 

Një tarracë kafeneje në Paris. Nga ato të shumtat. Të pafundmet. Ditë e diel. Mesditë. Kuarti ku jam vendosur në pansionin e lirë është nga ata të përzierit. Me shumë emigrantë të vendeve arabe dhe me vendorë të cilët duket të jenë pajtuar me fatin që atë nënqiell duhet ta ndajnë bashkë me të njerëz të cilët kanë kulturë e rite tjera prej tyre.

Moti atë ditë ishte i mirë. Verë e vonë. Ca re të bardha të cilat kohë pas kohe mbulonin diellin i cili pa u munduar aq shumë ia arrinte të depërtonte dhe shtrinte rrezet e tij kudo që mundej: në rrugë, mbi makinat e parkuara, në trotuare, mbi kulmet e shtëpive të moçme dhe tarracat e brazerive të parisit. Rrugët ishin gjysmë të zbrazura. Ashtu sikurse edhe tarraca në të cilën isha ulur. Në krye të radhës së gjatë të karrigave nga kashta e forcuar isha unë kurse pak më poshtë ishte një çift bashkë me dy fëmijë. Burri nuk kishte më shumë se 30 vjet. Ishte i veshur në mënyrë të pazakonshme. Një kostum bojë hiri, këmishë të bardhë dhe çorapë të bardha me këpucë të zeza. Gruaja ulur përskaj tij kishte një fustan të zi, flokë të kuqe të shtrira prapa shpindës dhe syza të cilat nuk ishin për mbrojtje nga dielli por për të parë me to. Syza me dioptri nga e trasha e cila mund të vërehej që ishte e këtillë nga larg. Goca e tyre ulur në krahun e djathtë nuk duhej të kishte më shumë se 12 vjet. Edhe ajo mbante syza. Kurse çuni i vogël nuk duhej të kishte më shumë se 7 vjet.

Tryeza e tyre ishte mbushur me shishe të zbrazura coca-cole, kafenesh, lëngjesh dhe duça cigaresh të pira. Çuni i vogël shtatë vjeçar lëvizte tërë kohën nga vendi. Herë i hidhej në përqafim nënës e herë babait. Sillej nga tryeza sikurse të ishte ajo një lodër e  tij. Prej ku isha ulur nuk mund të dëgjoja se çfarë flisnin me njëri-tjetrin. Edhepse as burri e as gruaja nuk shkëmbenin aq shumë fjalë mes vedi. Vetëm djaloshin e ledhatonin dhe me pohime koke ia pohonin fjalët. Goca 12 vjeçare nuk lëvizte nga vendi i saj.

Kamarieri tashmë qëndronte para meje. Tashmë kishte tre ditë radhazi që vija në atë vend dhe ulesha. Ishte një djalosh i ri i cili me kostumin e tij, këmishën e bardhë, jelekun e kuq të mbylltë dhe pantallonat e zi, dukej që asnjë punë tjetër në këtë botë nuk i shkonte.

“Kafe si gjithmonë?”, më pyeti ai.

“Po!”, iu përgjigja unë me të vetmen fjalë frëngjisht të cilën e dija. Për herë të parë atë të diel shkëmbeja dy fjalë me dikënd. Fëlqitë i ndjeja të topitura edhe më pas asaj fjale.

Kamarieri iku për të mos u vonuar. Vetëm pas pak çastesh ai më solli në kafenë në tabletën e vogël në të cilën pos filxhanit të kafesë ishte edhe qumështi bashkë me dy kokërrza sheqeri. Nxora eurot e hekurit dhe ia hodha në tryezë. Pa u ngutur i mori dhe i futi në xhepin e vogël të jelekut të tij të kuq i cili ishte mbushur me para të cilat me siguri i kishte nga mysafirë të tjerë apo edhe nga ditë më parë. Thjesht nuk më besohej që atë të dielë të kishte patur më shumë mysafirë sesa që kishte tashti në atë tarracë.

Ai ishte ndalur tashmë tek tryeza e çiftit me fëmijët. Me shpindën e kthyer nga unë, kamarieri futi sërish paratë që burri me kostumin e çuditshëm ia dha në dorë.

Zhurma e një tramvaji gadi të zbrazët i cili parakalonte nga vendi ku ishim ulur mori me vete ritmin e muzikës së lehtë franceze e cila nga brendia e brazerisë dëgjohej. Kamarieri tashmë nuk shihej gjëkundi.

Poshtë këmbëve të gruas e vërejta një valixhe sportive e cila qëndronte aty gadi e fshehur përfundi tryezës. Gruas me syza të trasha mund t’ia shihja lotët. Edhe goca e saj qante. Djaloshi i ri ishte hedhur në prehërin e babait dhe me shpindën e kthyer nga e ëma dhe motra nuk mund të shihte sesi këto dyja qanin. Burri me kostumin e çuditshëm ledhatonte flokët e tij. Pas pak ai lëshoi në tokë djalin e tij dhe u çua në këmbë. Djaloshi shikonte motrën e tij sesi  kjo me gishtërinjtë e saj të vegjël shkonte përfundi syzave dhe fshinte lotët. Nëna kishte hequr fare syzat. U çuan të tre. Djaloshi i vogël fillonte të dëneste. Me të madhe. Nuk shikonte nga babai i tij më. I hishte hedhur në përqafim nënës dhe ia ledhatonte fytyrën.

Pas pak u çuan të tre. Nëna me dy fëmijët e saj. Burri me kostumin e çuditshëm eci teposhtë kurse gruaja me çunin dhe gocën e vogël ecën drejt meje. Për të kaluar përskajt meje. Kaluan trotuarin dhe ashtu në heshtje ecnin. Shiheshin vetëm lotët e djaloshit të vogël. Nuk flisnin me njëri-tjetrin.

Kafenë e kisha pirë. Në tarracë nuk vinte më askush të ulej. Mendova ta porosisja edhe një kafe. Kamarieri më bëri sërish të njejtën pyetje. Dhe sërish i dhash të njejtën përgjigje. Duke e ndezur cigaren me kafenë, shikova burrin me kostumin e çuditshëm të kthehej nga rruga poshtë drejt tryezës ku ishte ulur vetëm pesë minuta më parë. Mendova në mos kishte harruar diçka. Jo. Tryeza ishte spastruar tashmë nga kamarieri. Duke u avitur vëreja çorapët e tij të bardha dhe dorën e tij të majtë të varur për veshin e majtë. Telefononte me dikënd. Vetëm dëgjonte dhe nuk fliste derisa parakaloi para meje.

Ecte të të njejtit shteg nëpër të cilin vetëm pak çaste më parë e kishin bërë gruaja dhe dy fëmijët duke qarë.