1.
Martini. Martin Shkreli është shqiptari (?) i vetëm që e njoh (“njeriu më i urryer në internet”) dhe i cili ka arritur dy fitore: e mundi Hillary Clintonin e cila e pat bërë potere kur ky e rriti çmimin e medikamentit të Aids-it dhe ishte i vetmi shqiptar nga shqiptarët e njohur i cili prej ditës së parë dhe deri tek e fundit përkrahu Donald Trump në fushatën e tij zgjedhore.
Martini duhet të ndjehet fitues edhe kur New York Times i kushton një tekst të tërë dhe i njofton lexuesit: shqiptaro-amerikani apo amerikano-shqiptari i njohur don ta festojë në mënyrën e tij krejt të posaçme fitoren e Trumpit.
Dhe me datën 9 Nëntor i pyet lexuesit e tij:
Ok so I have unreleased wu, Beatles, 2pac, nirvana, radiohead, Hendrix, brand new, smiths, Elliot smith, Ramones… What do you want first?
— Martin Shkreli (@MartinShkreli) Nov. 9, 2016
E mban premtimin dhe e dridhë me një dhe të vetmën këngë margaritar të Wu-Tang Clan!
2.
Edi. Edi Rama, politikani artist a artisti politikan i cili duket që aq është i preokupuar me artin e tij saqë edhe “Timing”-un e ekspozitës së tij në Marian Goodman Gallery në New York e kishte datosur pasi që Hillary të kishte fituar zgjedhjet, jo vetëm që e huqi keq por në fakt ai e dëmtoi Shqipërinë dhe i dëmtoi shqiptarët si asnjë lider i tyre më parë në historinë e tranzicionit qe 26 vjet. Budallallëku i Edit nuk konsiston vetëm në ato që kishte thënë për Trump tek Richard Quest në CNN. Gomarllëku i Edit nuk konsiston në atë që ngado që po shkon promovon “Kurbanin” apo vizatimet e tij- “Kurbanin” në gjuhë të vogla dhe gjuhë të fqinjëve- si në Rumani a Serbi, e vizatimet në sallone të mëdha të kryeqyteteve hijerënda sepse gjuhët e mëdha s’i honepsin edhe aq gjuhët e vogla… Dhe para së gjithash perversiteti i Edit, Ed do-të-doja-artistit e Ed do-të-doja-publicistit, është fakti që ai ka harruar se Amerika është e madhe, tepër e madhe për shqiptarët kaq të vegjël të cilët ende dirigjohen në “debatet” e klaneve “kosovare” e “shqiptare”… Përfshirë këtu edhe mundin e madh, tepër të madh të Lobit e diasporës shqiptare në Amerikë, mund ky të cilin nga Amerika a ndonjë aeroport i kësaj bote e nis dhe sos’ me këtë shënim i cili për Edin shënon fillimin e mbarimin e botës së tij:
….”Diaspora shqiptare në SHBA ka qenë kurdoherë e gatshme të ndihmojë vazhdimësinë e sovranitetit dhe pacenueshmërinë e integritetit të Shqipërisë, pa më të voglin paragjykim ideologjik….Diaspora dha një mbështetje morale dhe materiale të pamohueshme ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare dhe ndaj fitores së Aleatëve, për të cilën duhet të kemi një krenari të përligjur…”!
Jo Ed. Ti je ai që Përligj këto marrëdhënie nëse kujton që CIA apo Home Security po merret me deshifrimin e asociacioneve tua për “fashizmin” dhe “luftat nacional çlirimtare”. Çohu nga gjumi dhe shih: jemi në vitin 2016 dhe jemi në Trumpworld! Nëse me atë fotografen tënde doni ta luftoni- rrini në New York e barrikadohuni!
Ah po: jam kurioz se çfarë Edi Rama do të merr me vete në Berlin. Libra vetëm në shqip nëse i ka se edhe gjermanishtja është gjuhë që e gëlltit këtë shqipen e vogël.
Dhe ajo që qysh tash e di është: Edi me vete nga Berlini dhe Kancelarja do t’i merr nja GJASHTË a SHTATË PIKA/DETYRA SHTËPIE të cilat pikërisht si një botë mikut të tij Aleksandrit (Vuçiqit) do t’ia përmbysin botën e artit në mënyrë që të fillojë ta luftojë botën e krimit që e rrethon kudo në Tiranën e tij. Nëse do t’ua fsheh shqiptarëve ato detyra shtëpie që Merkel do t’ia japë? Nuk kam ide. Dhe as që më intereson.
Ashtu siç nuk më intereson puna e Hashimit.
3.
Hashim Thaçit. Sa e sa miqë, gjermanë, shqiptarë për vite më kanë thënë që dikur Kryeministri e tash Presidenti u Kosovës e ka dhuruar krejt Kosovën në Amerikë. Dmth. jo Kosovën si çështje por Kosovën në kuptimin e tregtisë e tenderëve. Dhe tash, zgjedhja e Trumpit do ta bëjë të qartë një gjë: Hashimi e kishte investuar krejt Kosovën tek Demokratët e Amerikës dhe aspak tek Republikanët. Dhe kjo i bie që këso radhe edhe vet Vlora do ta ketë të vështirë, për të mos thënë të pamundur të kap ciflat e vazove të miqësive që psh. Ibrahim Rugova kishte ngritur me Republikanë e Demokratë. Bipartizanizmi i Rugovës me së pari Lobin shqiptar atje e pastaj edhe Kongresin e Senatin duket që historianit që quhet Hashim Thaçi ia kanë bërë edhe një Amerikë ta sheh si poligonin e perversiteteve të tij politike.
Ja që Amerika nuk është Prishtinë.
Ndjej keqardhje për miqtë e kolegët që po mundohen të nxjerrin krahasime mes Republikanëve të mëparshëm që shqiptarët s’i kishin përkrahur dhe mëpas po këta Republikanë i ktheheshin Kosovës.
Janë të kota këso radhe krejt këto krahasime sepse, siç e thoshte Uki (Uk Lushi), një javë para zgjedhjeve:
“Pjesërisht fajtorë për degradimin operacional jemi të gjithë anëtarët e komunitetit, por akuza themelore duhet ngritur kundër përfaqësuesve të shteteve tona sepse shumica e tyre kanë privatizuar kontaktet me individë të caktuar të komunitetit duke anashkaluar dhe nënçmuar organizatat dhe shoqatat e shqiptaro-amerikanëve”.
Që i bie: elitat politike shqiptare edhe lidhjet me Amerikën i kanë bërë allësh vërësh si çdo gjë i rrethon!
Ndryshe nuk do vinte kjo ditë: dita kur Martin Shkreli i mundi Edin e Hashimin.