Është 13 dhe është e Premte. Ditë bestytnie. Ditë kur nëse rastësisht (me dashje) të ngjet diçka që nuk do të duhej të të ngjante duhet menjëherë ta lidhësh me numrin 13 dhe sidomos me të Premten.
Prandaj të rrish brenda, të mos lëvizësh, të mos komunikosh, të mos hakërrohesh…
Çasti kur duhet t’i flas vetes. Të provoj të vet)mashtrohem. Me shkronja që shërojnë. Mendjen. Trupin. Dhe para së gjithash trurin. Kur ndjen vetëm zhurmë tastiere dhe para syve nuk të dalin as trishtime mediatike as marrëzi politike.
Para syve më del Drita Shehi.
Drita Shehi për të cilën kurrë s’kam dëgjuar dhe s’e kam parë (edhepse mund të jetë aktore e njohur nga Shqipëria? Kosova? Maqedonia? Greqia?)…
Drita Shehi e cila kritikut të “Süddeutsche Zeitung” i thotë: “Më e vështira ishte që në fillim të gjithë qanim derisa mësonim tekstet. Por kjo është një diçka që shëron”….
Drita Shehi është njëra prej pesë grave më të suksesshme në një shfaqje teatrore që po luan në Europë. “Clean City” quhet kjo pjesë dhe pas Straßburgut e Lissbon-ës do të vazhdojë me rrugëtimin në Athinë, Metz, Bruksel, Lion, Basel… Rrëfimet e pesë pastrueseve nga Athina të cilat u shëndërruan/transferuan në shfaqje nga Prodromos Tsinikoris und Anestis Azas dhe flasin për globalizimin dhe vendlindjen, mallëngjimin dhe familjen, zhdukjen e klasës së mesme dhe ëndërrat, Europën dhe luftën për ekzistencë. Ta shpjegojnë pesë pastruese krejt kohën në të cilën jetojmë? Nuk e di. Ajo që në këtë çast e di është që do të doja ta shoh këtë shfaqje pas këtij eseu të mrekullueshëm të Alex Rühle.
E edhe nëse nuk e shoh këtë shfaqje në një gjë jam i bindur: pesë pastruese mund ta shpjegojnë kohën që po e jetojmë shumë më mirë sesa pesë politikajë!
Është data 13 dhe është e Premte.
Dita e pesë pastrueseve!