05/04

Them se njoh Shqipërinë. Nga jashtë më mirë se nga brenda. Se nga brenda s’e njohin as ata që ishin, janë e do jenë në të.
Shqipërinë dhe shqiptarin e këtij vendi: tek Blloku a brigjet e Lanës, fshatërat pa vadë të Elbasanit, veriu i egër, deti i paqtë i Sarandës apo jugu i gurtë… o e don menjëherë o do ta urresh përjetë.

Ky pikëshikim, kjo ngjizje prej ndjenje ekstreme dhe aspak racionale më vjen si pasojë e stuhive dhe ngricave që ky vend ka kaluar. Për shtatëdhjtë vjet ky vend ka kaluar trauma të rënda të cilat mezi deshifrohen në librat e Ismailit (Kadaresë) aty këtu Fatosëve (Lubonjës e Kongolit).

E sunduar nga Diktatori (Enver Hoxha), e traumatizuar nga Doktori (Sali Berisha) dhe e skicuar nga Piktori (Edi Rama): Shqipëria nuk po bëhet!

Çdo e keqe e ka nga një të mirë.

Prej krejt tmerreve që Diktatori ka bërë i mbetet vetëm një e mirë: themelimi i letrarishtes e cila me krejt të metat që i ka së paku u bë (pikërisht si Shqipëria!).

Prej krejt traumave që Doktori dhe kotillat e tij në forma nga Hajdin Sejdiash a Sudja e deri tek fëmijët e tij plangprishës: bile rrugën (e kombit) e bëri! Dhe bashkoi, për të folur me Ismailin, dy Shqipëritë.

Prej krejt pritjeve që shqiptarët kishin dhe vazhdojnë t’i kenë nga Piktori, bile shfaqja e tij e jashtme nuk huq. Nga brenda, nga brenda po del që në këto katër vite të pushtetit Piktori, po e ka zor, aq zor sa nganjëherë më del e pamundshme, ta shoh skicën të shëndërrohet në pikturë prej Shqipërie normale, mondane, monotone… prandaj Europiane.

Jo.

Shqipëria e Piktorit nuk është gjë tjetër pos pas këtyre katër vitesh qeverisjeje një Hinterland që rënkon dhe pikon gjak diktature mes tmerreve të Diktatorit dhe djersë kaosi urbanistik e politik brenda traumave të Doktorit.

Sepse partneri i tij (Meta), kolegët e tij nga Partia (S) dhe Qeveria (femine) vijnë nga e kaluara. Dhe… e kaluara nuk ka vdekur, ajo as që kaluar! (Faulkner).

Ta gjykojmë Piktorin?

Ncuk.

As ai as ne nuk e dijmë se ku do dalë ky vend me problemet e mëdha, me problemet e pafundme, me problemet që jo vetëm miqtë e shqiptarëve s’i kuptojnë por as vet shqiptarët.

Them se Piktori ka edhe një shans.

Shansin e tij të fundit: t’ia bëjë një të mirë Shqipërisë.  Dhe ajo e mirë do të ishte e mira tjetër prej shumë të këqiave e nga një të mire të Diktatorit e Doktorit.

Përtej ëndërrave të shitura e edhe shpifura prej Rilindasi… të dalë dhe t’u thotë shqiptarëve që ka vendosur të mos tregtojë as me viktimat e Diktatorit e aq më pak me të traumatizuarit e Doktorit. Të mos i thërret aspak Aleksandrin apo Hashimin që ata t’i tregojnë si bëhen këto gjëra.

Por le ta vendosë nëse don të bëhet shqiptari i parë që shqiptarëve don t’u prijë drejt shtegut të europeizimit emocional e legal!