29/04

Maqedonia. Demokracia.  Sa herë dua të di se çka ngjet në këtë shtet- për maqedonasit e shqiptarët, bashkë apo veças, nuk lodhem të lexoj kolumnistë të mëhallave të Tetovës, Shkupit e Gostivarit, as të pyes kolegë e miq të çmuar… por e lexoj Gligorovin. Të birin e Kiro-s, Vladimirin. Si askush tjetër, nga Vjena, ky shkruan e shkruan e shkruan… Drejt e n’pikë. Edhe për ngjarjet e fundit, “stuhinë” dhe marrëzinë në Sobranje e shpjegon në PESCANIK me titullin që po e huazoj: Demokratija i Makedonija.   Por për këtë më vonë.

Nuk ka shtet më të çuditshëm në kontinent. I pakrahasueshëm dhe paimagjinueshëm për kohën kur u formua, mënyrën si u pavarësua dhe sprovën si u shpëtua.

Deri tash.

Dhe askush të mos dyshon: ky shtet nuk do të prishet.

Sepse nëse ky shtet do të prishej- me luftë apo pa të- atëherë edhe krejt konfigugurimi në Europën Juglindore do ngjante me kishte pasoja… të paparashikueshme. Bullgaria, Greqia, Shqipëria, Kosova edhe vet Serbia do ta kërkonin “hisen” tek kombi me identitet të ri (maqedonas) dhe kombi tjetër me identitet të shtypur për dekada (shqiptarët).

Apo ta harrojmë: edhe vet Tigri serb (Slloba) e ka patur një vijë të kuqe e cila është quajtur Maqedoni. Për ta thënë ndryshe: ashtu siç për Hitlerin ishte tabu të sulmonte Amerikën e njejta gjë vlente për Sllobën poqese do ta sulmonte Maqedoninë!

Megjithatë: misteret sa frikësuese aq edhe banale që këtë shtet vazhdojnë ta përcjellin qe më shumë se dy dekada janë thjesht të pashpjegueshme… atentati i paskuksesshëm mbi Kiro Gligorovin, lufta e UÇK-së së Maqedonisë (me pjesmarrjen e UÇK-së së Kosovës), vdekja misterioze e Boris Trajkovskit, rasti “Monstra”, masakra në Kumanovë, sulmi i frikshëm i kriminelëve në Sobranje… nga raste të mëdha të cilave as vet John le Carré me trillerë spiunësh s’do të mund t’u binte në fije e deri tek banalitete përditshmërie siç janë “zbukurimet” groteske të Shkupit (me të cilat tërë perëndimi qeshet) që majmunët e Gruevskit e kanë bërë dhe analfabetët e Ali Ahmetit e kanë toleruar… krejt këto sfida rëndojnë kokën të kuptosh realitetin politik në Maqedoni.

Dhe kësaj katrahure politike, historike, gjeografike, sociologjike, kulturore, linguistike, ekonomike, logjikisht përballë i dalin dy kombe: maqedonasit ende të luhatur a janë maqedonas a bullgarë dhe shqiptarët që për gadi pesë dekada ishin veç myslimanë (të urtë) tash dy dekada ende janë në mëdyshjen a të shikojnë nga Kosova apo megjithatë Shqipëria… përballë i dalin, siç e thash edhe më lartë disa shtete të cilat duhet të përmenden edhe njëherë: Bullgaria, Shqipëria, Greqia… Kosova e Serbia!

Them që poqese Maqedonia do të lihej në mëshirën e Europës ky vend kaherë do të ishte bërë një vatër siriane e Europës! Prandaj është mirë që Amerika u rrin mbi kokë: qoftë kokëdukshkëve të Gruevskit ashtu edhe të korruptuarve të Ahmetit e Zaevit.

Përkundër sprovës së “puçit” që nuk ishte puç, përkundër skenave makabre në Kuvendin e Maqedonisë megjithatë ky vend nuk ka gjasa të prishet sepse këtë s’e duan as shtetet që u përmenden më lartë por para së gjithash Washingtoni s’e lejon këtë gjë.

Prandaj kthehem te Vladimir Gligorovi: problemi Maqedoni përkthehet me shprehjen Demokraci.

Këtë kategori Gruevski s’po don ta pranojë.

Se çfarë këtë shtet e pret duhet të jemi kurioz… John le Carré zor që ndihmon.

Dhe marr guximin për një prognozë: në këtë shtet çdo gjë mund të ngjajë por vetëm diçka jo: lufta.

E nëse s’do ngjajë lufta atëherë s’ka si të mos ngjajë demokracia. Me plot dhembje e vuajtje. Herë për maqedonasit e herë për shqiptarët.

Kur u ngjet bashkarisht-atëherë po, edhe kjo dmth. diçka. Demokraci? Në Maqedoni?