27/05

Pallati i lotëve!

 

Fillimi. Sidomos fillimi ishte i vështirë. Sepse ai ngjante në fund. Në fundin e atij takimi, ata duhej të gjenin ca fjalë për t’u ndarë. Jo për shkak të një lamtumire formale. Kjo gjë nuk mund të thuhet. Puna është se thjesht ata të dy, do ta kalonin së bashku edhe atë orë e gjysmë, derisa në fund të mund ta marrin me vete atë njohje, për të cilën nuk mund të thuhej që ishte e ngarkuar me kujtime të mira as të këqia.

Në lokal ishin ulur dy njerëz. Hijet e pemëve të ulëta freskonin. Nga ajo pozitë mund të shihej sheshi i cili shkumbonte nga zhurma e takisve, makinave dhe autobusëve që sillnin apo përcillnin udhëtarë. Ulëset me tryezat në një beton të copëtuar me rrugicat që çonin në shesh i ndanin ca ishuj të vegjël toke e cila duhej të ishte e gjelbëruar. Fare mirë mund të soditej dheu i kuq, mveshur nga pëlhura e papastërtisë. Kartonë të kaftë, filterë cigaresh, letra të pista dhe shishe të zbrazura të përhapura gjithandej përbënin peisazhin e asaj hapësire toke.

Ajo zuri vend në njërën prej karrigeve në tarracën me radhën e lokaleve të zbrazura njëkohësisht me atë.

Ai s’fliste. Nuk ishte për ndonjë bisedë. Nuk ishte për asgjë. Prandaj heshtja ndihmonte dhe lehtësonte atë atmosferë të rënduar.

U mbetej vetëm si ta zotëronin atë atmosferë pas porosisë së birrës, kafesë dhe ujit mineral.

Nga trotuari i gjerë i cili ishte edhe tarracë e imbisit ku u ulën, moria e pesë burrave me fytyra të parruara, lëkurë të skuqur, gadi nxier nga dielli durrësak,  avitej me çdo hap.

Derisa ajo e kishte shpindën të kthyer nga ta, ai mund të veneronte se nga kishin mësyer. Me zhurmë dhe me qeset e bardha nëpër duar u ulën në tryezën përskajt të tyres. Pikërisht në lokalin ku edhe këta dy ishin ulur dhe jo në ndonjërin prej lokaleve tjera të cilat pokështu ishin pa shpirt njeriu në to.

Ajo vazhdonte të mos kthente kokën drejt tyre.

Mysafirët e rinj, edhe ulur vazhdonin me zhurmën. Asnjëri prej tyre nuk porositi. Por për këtë, nuk vonoi shumë dhe kamarierja me tabletën e mbushur përplot filxhana kafeje dhe gota të vogla të rakisë  ecte ngadalë drejt vendit të tyre. I fshiu duart në pjesën e prapme të belit për fustanin e saj të papastër dhe ngadalë, fare ngadalë, me gishtërinjtë e saj me lëkurën e çarë dhe thonjë të papastër, prapa shpindës së secilit dhe duke u sjellur në rreth, servonte në tryezën e cila tashmë, ishte shtuar edhe me tre burra të tjerë të cilët nuk dallonin shumë përnga pamja prej atyre që më parë ishin pikasur aty.

Njëri prej tyre e ngriti gotën e rakisë lartë mbi fytyrën e tij të rreshkur dhe parruar dhe bërtiti:

“Për hajr na qoftë dhe me plot gëzime të tjera!”.

“Në gëzime!”, bërtiti ai që ishte ulur përballë tij.

“Të na rrojnë dhe u trashëgofshin!”, dëgjoheshin zërat e të gjithve si në një kor të çorientuar.

Ajo vazhdonte të mos e kthente kokën mbrapa.

Ai shikonte në anën e majtë të tryezës ku qëndronin ulur, poshtë së cilës, në dheun e kuq të mbuluar me një ishull të vogël bari të gjelbër, ishin shtrirë dy tre qese të bardha. Të mbushura përplot me mish.

Vërejti që të gjitha qeset e atyre burrave nuk ishin me gjë tjetër të mbushura pos me mish, mish, mish!…

Burrat flisnin me zë edhe më të lartë.

Nuk vonoi shumë, dhe sikurse kamarierja që nuk ishte ftuar, drejt trotuar-tarracës ku ishin, ai, ajo dhe burrat e zhurmshëm, u avitën tre romë të rinjë. Njëri kishte të varur në krahun e djathtë daullen, tjetri kishte hedhur në gjoks harmonikën dhe i treti kishte në buzë klarinetin e tij të metaltë.

Pa u afruar mirë tek tryezat, ata filluan t’u japin jetë instrumenteve të tyre me një muzikë të hareshme e cila u humbiste edhe zërat gazmorë të të ardhurve që me siguri që festonin diçka. Por çfarë konkretisht, këtë gjë nuk e dinte as ai dhe duket as ajo.

“Sa e padurueshme!”, klithi ajo, pa e shikuar drejt në sy atë dhe pa e lëvizur trupin nga klithma e saj e vogël.

“Çfarë?”, pyeti ai, thuajse nuk dinte se për kënd ajo e kishte fjalën.

“Kjo muzikë, këta njerëz, ky vend… ky çast!”, tha ajo dukshëm më e shtruar dhe kontrolluar se më parë.

“Pse thua ashtu…?”, pyeti sërish ai pa qenë i vetëdijshëm që me këtë provonte të kalonte nga një gjendje heshtjeje mortore në një bisedë fare normale, fare të zakonshme.

“Sepse… Sepse nuk e di!”, u përgjigj ajo.

“Çfarë është e padurueshme? Këta këtu, muzika, duhma e mishit… apo unë. Apo të gjitha këto?”, pyeti pa dashur  të dinte që tashmë kishin hyrë në bisedë e cila nuk dinte ku do i nxirrte.

“Nuk e di si ta them. E padurueshme është më së shumti kjo gjendja jote. Është fakti që nuk ke lot. Jo lotë që të qash. Por që të më japësh diçka që do më bënte së paku mua, vetëm mua… të qaja! Që nuk kam më as fjalë!”, tha ajo me zë pak më të ngritur sepse zëri i përzihej me valët e muzikës së hareshme rome.

Pas këtyre fjalëve u kthye heshtja.

Ai donte të iknin prej aty. Të kalonin së paku edhe për ca çaste përgjatë plazhit dhe detit të papastër. Të shihnin ato anije dhe vapore të cilat me zhurmën e tyre atij porti detar i jepnin një hije edhe më të errët sesa që edhe ashtu ky e kishte.

Mirëpo ai nuk ndjehej aq i fuqishëm sa të ngritej prej aty. Nuk kishte fuqi për asgjë.

“Meqë po vazhdojmë sërish të mos flasim. Dua të ta rrëfej punën e papagallit tim”, i tha ajo papritmas atij. Disi e çliruar që mori guximin të tregonte diçka. “Seç më qe tekur ca kohë të shkruaja një tregim për papagallin tim. Doja me çdo kusht të tregoja diçka për të. Dhe ta botoja pokështu. Menjëherë. Ti e din që kam mundësi të botoj çdo gjë në këtë botën tonë të vogël. Provoj një mbrëmje. Nuk ecën. Provoj tjetrën pokështu nuk ecën. Mbrëmjen tretë (e treta e vërteta!) ia dola disi ta përfundoja. Një tregim i shkurtër. Por me përfundim të tmerrshëm!”.

“Pse të tmerrshëm?”, pyeti ai.

“Sepse tregimi përfundonte me vdekjen e papagallit!”, tha ajo, me një tingëllimë e cila ishte diçka e habitshme për të dhe për mysafirin e saj.

“Po mirë. Papagalli vdes në tregim dhe asgjë askujt!”, i tha ai paksa me ton të ngritur sepse mendonte që ajo donte të shfaqej si një profete që papagalli i vdiste në tregim…

“Jo asgjë nuk është mirë. Asgjë nuk ishte mirë. Sepse të nesërmen e ditës pasi kisha përfunduar tregimin, kur u zgjova e gjeta papagallin tim në kafazin e tij… të vdekur!”, tha ajo me zërin që i dridhej dhe sytë e mbushur me lot.

Romët tashmë ishin larguar kurse burrat prisnin në heshtje gruan kamariere me fustanin e saj të papastër që t’ua sillte raundin tjetër të gotave me raki. Pranë qeseve me mish kishin filluar të mblidheshin grumbuj mizash.

Dhe tashti derisa ai mori kafenë e tij të tretë në këtë lokal me këtë emër kaq të çuditshëm (“Pallati i lotëve”) nuk kishte si të mos i kujtohet ajo dhe ai takim lamtumirës. Me aq shumë lot…