29/05

I panjohuri!

 

 

Kamarieri, një grua e moçme, një shumë më e re sesa ajo dhe ai. Këta janë të gjithë mysafirët në byfenë e vogël në të cilën nuk ka karrige sepse nuk janë paraparë karrige për t’u ulur. Ca tryeza të holla dhe gjata në të cilat nuk ka vend për t’u vendosur më shumë se dy pjata apo dy filxhana kafeneshë apo çaji. Shpejtësia e trenit nuk vërehet fare. Pasi merr kafenë dhe paguan, kamarieri zhduket prapa  banagut për të vazhduar të merret me punët e tij, për një çast aiu ngurron ku të zë vend, tek plaka e cila pa i bërë përshtypje për mysafirin e ri, vazhdon të lexojë në një revistë për kopshtet dhe atë sesi mbillen kokat e sallatave, apo tek gruaja e re e cila ka nxjerrur celularin dhe shkruan apo luan në të.

Trupi i shkon nga tryeza ku plaka lexon për sallatat. E vendosë kafenë në tryezë, çantën e lëshon përfundi tek këmba e djathtë, cigaret i nxjerr shpejt e shpejt nga xhepi dhe me krahun e djathtë vendoset rëndë, me tërë trupin e tij të madh në rrethin e hekurt të tryezës së mermertë.

Gruas së re ia shihte vetëm profilin. Një bjondinë me flokë të shkurtëra dhe sy që i shkëlqenjë. Duket sikurse të ketë pirë tërë natën e lume- apo të mos ketë fjetur fare. Valixhja e saj e madhe me formë të rrumbullakësuar në katër këndet e saj, e cila pokështu është vendosur përfundi këmbëve i shërben bjondinës që të mbështesë gjunjtë e saj në të. Ende vazhdon të shkruajë diçka në celularin e saj. Kur merr mesazhin qeshet me zë. Kur shkruan lëvizë buzët, thuajse është duke biseduar me dikënd. Sustat e celularit i shtyp me pasion dhe kjo gjë shihet nga bardhësia e gishtërinjëve të saj derisa me buzë përshpëritë ato që i shkruan. Nuk kalon shumë kohë dhe e vendosë celularin e saj mbi tryezë për një çast dhe tërheq valixhen e saj nga pjesa e dritares. Dëgjohet shushurima e zhagitjes së saj. Bjondina nxjerr një cigare nga xhepi dhe e ndez shpejt me shkrespsën e saj të kuqe, kap celularin dhe bën numrin.

Derisa ajo i bën të gjitha këto gjëra në byfenë ende të qetë, ai bëhet që nuk është shikuar nga ajo por përmes dritares vështron me vëmendje peisazhin e pafundmë i cili ka filluar të çelet me të gjelbërtën e këndshme, i cili është pushtuar nga rrezet e fuqishme të diellit.

Fillimin e fjalëve të saj nuk e dëgjoi. Jo pse nuk kishte dëshiruar por pse mendonte për atë se pse duhej të dëshironte që të përgjonte se çfarë ajo do fliste tashti në telefon. Pse e kishte atë profesion i cili nganjëherë duhej të quhej i shkrimtarit kur shumë më tepër në atë rast, me pasionin e tij të pashterrshëm të dinte “çdo gjë”, të merrte vesh çdo gjë (përreth tij!), më tepër i ngjante një spiuni!

Zëri i saj kishte mbushur hapësirën e zbrazur të byfesë dhe përzihej me zhurmën disi të vogël, gadi të heshtur të shpejtësisë së trenit i cili në atë çast, kështu shkruante në ekran ecte 270 kilometra në orë.

“Po po… ta thash edhe mbrëmë… nuk do mund të flej. Kur kam dalur nga shtëpia? Hahhaha! Herët shumë herët. Duhet të ketë qenë ora shtatë e mëngjesit. Doja ta marr pikërisht këtë tren dhe e mora. Tashti jam duke pirë kafenë e dytë. Ma kthjellon kokën. Hahaha, po po! Fare e turbulluar. Mos pyet. Hahaha! Si the? Dëgjo nëse na ndërprehet lidhja atëherë jemi futur në bjeshkë e brigje ku nuk rrjet edhepse nuk e besoj. Jo të dëgjoj mirë fare mirë… Natyrisht që më pret aty. Ku ka të shkojë? Askund tërë ditën e lume rrin i mbyllur në dhomën e tij. Nganjëherë, dhe atë jo aq rastësisht, kur jam edhe unë shtëpi vjen e sillet nga kuzhina që të përgatisë diçka për të ngrënë. Pastaj ulet para televizorit dhe shikon gjëra që nuk i shikon bir nëne. “Big brother”! Po po aso gjërash. Ta thash edhe mbrëmë. Kam bërë gabim. Oh çfarë gabimi. I kam thënë: “Dëgjo, ti nuk je i dashuri im! Ne nuk bashkëjetojmë. Ne jemi vetëm bashkë banues. Dhe nëse ke harruar, të kam ofruar një dhomë për të fjetur dhe kuzhinën bashkë me dhomën e ditës derisa ta gjesh një shtëpi ku mund të jetosh”… Kjo ishte marrëveshja. Por tash mbushen tre muaj dhe asgjë. Tërë ditën është aty. Nuk kam nga të shkoj prej tij. Gabim? Natyrisht. Para se të vija tek ti sillej nga kuzhina dhe pa ditur se çfarë të bisedoja me të, e pyes… “Dhe çfarë ke bërë sot?”, e din si më është përgjigjur: “Asgjë. Dhe kjo është më e tmerrshmja. Sepse kur nuk punoj asgjë atëherë ndjehem aq i lodhur, aq i thyer. Kur rri tërë ditën i varur në dhomë, kuzhinë, dhomë të ditës”. Jo jo nuk është për të qeshur… Ah nuk e di. Nuk mundem ta hedhi në rrugë. Natyrisht që nuk do mbetet pa kulm mbi kokë…”. Ai do kishte vazhduar të përgjonte edhe më tej. Me kënaqësinë e përhershme të të bërit që po sodiste peizazhin e mbuluar nga një cipë e hollë bore. Por këso radhe iu ndërpre përgjimi. Para tij qëndronte kamarieri i cili mori tavllën e cigareve dhe filxhanin e kafesë.

“Doni edhe diçka të pini?”, pyeti ai.

“Jo falemnderit… Do iki”, tha ai. Dhe shikoi që plaka kishte ikur tashmë. Edhe bjondina e kishte futur celularin e saj në xhep dhe ndizte cigaren. Nuk i kishte dëgjuar fjalët e saj të fundit. Sa do kishte qejf ta dinte…