10 Mars

Kamel Daoud. Më në fund e lexoj këtë libër i cili nuk është i gjatë dhe është i këndshëm. Në gjermanisht më mirë sesa ta pres  derisa të përkthehet në shqip. Edhe ashtu në shqip s’ka sistem përkthimesh as kapje me valët e modës.

E modë mund të quhet edhe autori algjerian. Kjo pse ky kishte atë gjetje gjeniale që të kapet për hiç më pak as më shumë sesa me “I huaji” të Albert Camus. Gazetari e shkrimtari algjerian kishte menduar gjatë e gjatë dhe më në fund preki francezët dhe çuditi europianët e amerikanët. Sepse kishte idenë, sërish gjeniale, t’i jep identitet viktimës të cilën Meursault, personazhi dhe dorasi i Camus, e kishte vrarë.

Natë për natë një plak, pa emër, ulur në Cafe-Barin Oran, tregon historinë e vëllaut të tij të vrarë Musa-s. Musa pra është personazhi emrin e të cilit Camus nuk e përmend. Dhe Musa është ana tjetër, ana arabe, orientale të cilën Camus s’e kishte honepsur edhe aq. Nuk është hakmarrje. As nuk është vajtim pse Camus s’merret me të.

Është më  shumë një trishtim. Për faktin sesi mbtet në hije historia e arabit dhe arabëve, vëllaut dhe vëllezërve. Të gjitha këto të gërshetuara në një trekëndësh. Nëse do të mbijetojë ky libër? Natyrisht. Sepse është ajo lidhja, është ai obligimi që deshëm s’deshëm tash është realitet. 

Do të doja që këtë libër ta lexoj edhe njëherë. Në shqip.