19 Prill

Kalon (pothuajse) ditë për ditë pranë saj dhe nuk e vëren. Mundet të të ngjajë që kurrë nuk e sheh. Dhe papritmas vjen një çast krejt i çuditshëm kur të thotë dikush, i thua dikujt, apo konstaton me vetveten që s’e ke parë… s’ke dëgjuar… s’të ka thënë dikush…se “ka kohë” që më nuk është. Një njeri, një gjësend, një simbol… Orë e madhe me emblemën e qytetit.

E qyteti në të cilin jetoj e ka emblemenën për të cilën e njeh krejt bota… Nga ky mëngjes mund të them i kishte. Në vendin e përhershëm. Sepse në kullën e madhe të stacionit të trenave s’shihet më as ajo Orë me akrepa metalik e as ajo shenjë Mercedesi.

Puna është që nuk janë aty mbase tash e…disa vite. Por ja që s’i kam parë. Duhet të jetë kjo punishte e madhe, nga më të mëdhajat në Europë ku do të /ri/ndërtohet një nga stacionet më të mëdha të trenave po në Evropë. Katër e më shumë vite që ka filluar. Disa gropa të mëdha me qindra punëtorë të cilët deri në vitin 2021 duhet t’i mbyllin punimet të cilat së paku nga vizatimet që janë vënë gjithandej, duhet të vazhdojnë të bëhen vetëm nën tokë… në mënyrë që edhe katër vite të shihet se çfarë do të mbijë mbi tokë.

NJë diell i ftohtë pranvere tashmë shkep rrezet në këtë nënqiell dhe në monitoret e reklamave lexoj një mendim të Novalis-it i cili citohet të ketë thënë që “poeti e kupton natyrën më mirë sesa një shkencëtar”.

Pyes veten: po ne që s’jemi as poetë e as shkencëtar… e kuptojmë natyrën?

Them që kjo s’ka aq shumë rëndësi. Kryesorja: ta ndjejmë atë. Natyrën dhe sidomos këtë pranverë e cila sivjet e ka vendosur të mos vonohet.