2 Qershor

Përtej klisheve klasike gazetareske në të cilat provohet të shpjegohet se kush ishte Max Frisch apo të rrëfehet për të papërsëritshmen Ingeborg Bachmann.  Ishte sidomos dashuria por edhe obesioni (posesioni?) që këta kishin për njëri-tjetrin sa ishin bashkë si çift… dhe lufta mëpas. Luftë nga e cila dolën dhe mbetën vetëm cifla në formë shkronjash që bënë fjalët dhe fjalitë që u shëndërruan në rrëfime të cilat morën maja mitesh…

Këtë e shpjegon Anila në një ese/tregim/ për zviceranin e famshëm dhe austriaken namëmadhe tek Saras-i i Qershorit.  Tekst i preferueshëm të lexohet edhe nga ata që i njohin tekstet e Frischit e Bachmannit edhe ata që s’e kanë idenë kush ishin ata. Anila shkruan shqipen e shkëlqyeshme dhe rrëfen si një tregimtare universale: si gjermane, austriake, europiane. Përtej klisheve.

Mësoj shumë gjëra për Frisch e Bachmann të cilat s’i kam lexuar as ditur kurrë. Sidomos për miqësinë e kësaj të fundit me Hans Werner Henze…

Do t’ia preferoja çdokujt këtë tekst që është  një perlë në shqipe për titanë të letërsisë gjermanishtfolëse… dhe kurthet e lidhjeve të dashurisë e cila në këto raste ka një kosto të lartë- njerëzore. Dhe, sërish dhe, produkt letërsinë e cila në një formë a tjetër, përkundër vuajtjes së tyre- sidomos Bachmannit, ka kontribuar në mitizimin, pavdekësinë e letërsisë së tyre. Dashuria (tragjike) si mjet për betonizim të dashurisë dhe luftës në kohën e paqes së viteve 60/70. Them se edhe për këtë tregon Anila.

Para së gjithash ajo në shqipe u tregon kolegeve e kolegëve sesi shkruhet për këto  e  këso punësh. Në mënyrë krejt diskrete dhe të paanshme. Me plot informata të cilat kanë vetëm një dhe të vetmen autorësi (vulë): atë të vet asaj.