Tag Archives: Bekim Fehmiu

12 Mars

Lexoj për vdekjen e Dragan Nikoliqit. Aktorit serb të cilin të gjithë ne, gjeneratat e moçme të shqiptarëve të Kosovës, deshëm nuk deshëm e kemi patur mysafir në dhomat e ndejës në vitet 70 e 80. Me filma, seriale, shfaqje teatrore. Atëherë kur ishim në Jugosllavi dhe kur duhej të bashkëjetonim me kulturën, historinë, aktualitetin sllav. T’i flasësh një të riu shqiptar nga Kosova sot për Dragan Nikoliqin është sikurse të fillosh një rrëfim për një marsian.

Jam kurioz të shoh nëse ka raportuar/shkruar ndonjë portal, medium nga Kosova për vdekjen e tij. Asgjë askund. Në rubrikat e kulturës gjej tekste për Bekim Fehmiun dhe një xhirim të tij si babai i Nënë Terezës. Mendoj në Faruk Begollin. Enver Petrovcin. Breza të tërë aktorësh, shkrimtarësh e intelektualësh epiqendra e të cilëve ishte Beogradi, ishte Jugosllavia. Botë e cila brenda ca orësh e ditësh u rrënua njëherë e përgjithmonë. Dhe mirë që u rrënua.

Mes këtyre rrënojave jemi rritur ne. Brezi i edhe asaj botës edhe kësaj botës. Mes fërkimesh dhe luftërash.

Çuditem me Nikoliqin. S’e kisha ditur që bashkëshorte e tij ishte Milena Draviq- po aktore e njohur serbe.  Si ta dija? Në vitet 90 çdo fije është shkëputur me ta. Histori që më nuk do përsëriten kurrë.

Histori të cilat vetëm nganjëherë kthehen ashtu- kur vdesin dhe si vdesin.

Është e shtunë dhe është fundjavë. Pranvera ende s’duket në horizonte.  Së paku edhe një javë jo.