Tag Archives: Diaspora

24 Korrik

Pësimet janë mësimet e jetës.

Masakra e Munihut është ajo ngjarja e rëndë, e trishtë e cila secilën qenie njerëzore e rrëzon përtoke.  Njëherë paqartësia me të panjohurat se kush qëndron prapa sulmeve. Pastaj kërkimet e emrave, origjinës, familjarëve, miqëve… Një kontinent në ankth. Me të edhe shqiptarët të cilët për fat të keq janë mes viktimave.

Tërë këtë të diele më dalin para këta, pardon, ata muaj pothuajse mjalti që kisha në e me veten me këtë rini shqiptare në Europë.  Nga Kampionati Europian i futbollit në të cilin luajtën as më pak as më shumë se 31 shqiptarë: për Shqipërinë, për Zvicrën, për Gjermaninë…  Kur i gëzohesha çdo shkronje që për ta lexoja. Kur me një lehtësi sa mahnitëse aq edhe naive besoja që (ende!) mund të shkruaj ndonjë kolumnë për publikun e gjerë në këtë pjesë të nënqiellit ku jetoj. Ku edhe fqinjët e mi i befasoja kur varja tre flamuj në dritaren e shtëpisë ku jetoj…  Kur shihja kolonat e simpatizantëve shqiptarë- shumica absolute shtetas, qytetarë, tatimpagues dhe shqiptarë me pasaporta gjermane, zvicerane, austriake, skandinave dhe  gjak, sidomos gjak e gjene shqiptare. Monologjet e gjata me vetveten dhe me miqtë për një rini të mrekullueshme e cila e din se kush është dhe prej nga i ka rrënjët.

Vetëm atdhetë (e Ballkanit) që s’e dijnë se çfarë ka në këtë pjesë të botës.

Nuk më shqiten nga koka fytyrat e tyre të njoma.

E kujtoj takimin me 20 studentë nga prindër shqiptarë para 3 javësh në një sallë të bukur të Universitetit të Stuttgartit. U flisja për neve… studentët e parë shqiptarë në fillimin e viteve 90. Më shikonin të çuditur. Donin të dinin më shumë. Mes mahive të vogla dhe shikimeve të tyre inteligjente shihja e dëgjoja sesi njëri-tjetrit i lexonin poezi në gjuhën shqipe: Gjergj Fishtën, Asdrenin, Ali Asllanin, Ali Podrimjen dhe ndonjë prej neve të rinjve. Me një shqipe të pastër dhe gjuhën e prindërve kërkonin dhe suksesshëm kapeshin për rrënjët e paraardhësve të tyre.

Në shqip.

Komenti i asaj mbrëmjeje: dikur në vitet 90… ne paraardhësit e tyre, po studentë të këtij Universiteti përpiqeshim të lexonim gjermanisht.

Sot, ata, fëmijët tanë, kthehen në origjinë dhe s’duan të harrojnë gjuhën amtare.

Mësimi: integracioni shqiptar (në këtë shoqëri) ka mbaruar.

Pësimi: jo vetëm për gëzime në stadiume futbolli a katedra universitetesh por edhe për tmerre si ky i Munihut, shqiptarët janë pjesë e kësaj bote që  këtë vit po heq kaq shumë!

 

8 Korrik

Ditë e gjatë dhe ditë e lodhshme. Të flasësh para shkencëtarëve për diasporën dmth. të kesh rolin e një muratori i cili tashmë ke bërë shtëpinë në të cilën jeton, bile në ndërkohë edhe e pren barin e kopshtit të asaj shtëpie kurse janë mjekët (shkencëtarët) të cilët do ta shohin si është ndërtuar ajo shtëpi dhe cili është niveli i saj.

Kështu ndjehem në tryezën e WIKA e IFA këtë të premte kur tërë ditën flasim për diasporën, identitetet, historinë, të tashmen, të ardhmen…

 

30 Maj

Lexoj për një konferencë të madhe të Institucioneve në Prishtinë me Diasporën. Edhe më saktësisht me investitorët nga Diaspora.

Të bësh konferenca në Ballkan dmth. të humbësh kohën shikuar nga prizmi i mikëpritësve. Dhe të biesh në kthetrat e ndonjë ministri apo grupi komandantësh shikuar nga prizmi i diasporës.

Që shqiptarët japin rreth 700 milionë euro në vit për një vend kaq të vogël siç është Kosova dihet. Dhe mungon vetëdija, mungon vullneti, mungojnë idetë, mungon zemërgjerësia dhe para së gjithash gadishmëria të shihet dhe sidomos kuptohet që kjo urë nuk ndërtohet me konferenca. As me fjalime. Më së paku me lavdata të dyanshme.

Vazhdon keqkuptimi i madh diasporë- atdhe.

 

12 Prill

Lexoj për idenë e “samitit” të Ed Ramës me “diasporën”. Dhe çuditem. Me këtë më-në-fund-gjetje. Nuk besoj ta kem “kompetencën” dhe kompetencën për “diasporën” shqiptare të Shqipërisë. Së paku jo atë të viteve 90 e deri tek vala e fundit e shqiptarëve që mësyen drejt Gjermanisë. Këta të fundit edhe ashtu ende janë askund- as në Shqipëri as në Gjermani e vende tjera të Evropës.

Shqiptarët tjerë (nga Shqipëria) po: ata kanë edhe pasaporta greke edhe lejeqëndrime italiane, edhe vende pune në Zvicër edhe biznese në Gjermani, edhe nënshtetësi amerikane edhe firma britanike. Dhe janë shumë, aq shumë saqë jo rrallë njeriu lexon në media të huaja që më shumë se gjysma e shqiptarëve të Shqipërisë “jeton” jashta kufinjve të këtij shteti.

Të mendosh që në vitin 2016 një politikani, shefi qeverie shqiptare i kujtohet që ka njerëz, me prejardhje shqiptare dhe me banim jashta shtetit është sa për hidhërim- pse s’janë kujtuar, aq edhe për ngazëllim, që më në fund don të bëjë diçka. Diçka që këtyre njerëzve do t’u jepte shenja jete për ca shtigje të reja. Dhe para së gjithash besimin që munden jo vetëm t’i vizitojnë familjet e tyre apo portalet ku shkruhet e raportohet për politikën, ekonominë, financat, kulturën e sportin në atdhe por edhe… mund ta dërgojnë dijen e tyre e ndoshta, nëse shohin që ka përmirësime dhe klimë pozitive, edhe kapitalin e madh. E të dyja këto, dije e kapital, shqiptarët që jetojnë jashtë i kanë aq shumë, sa me mend s’mund ta marrin në Tiranë a Shkodër, Gjirokastër a Sarandë. Nuk është se do ngjajë diçka pas këtij “samiti” por një hap bëhet.

Një gur hidhet. Në Shqipëri.

Sa për Kosovën… Për Kosovën as që duhet folur. Shqiptarët e Kosovës, Kosovo Albaner-at në Gjermani, Zvicër, Austri por edhe Skandinavi a Amerikë e Australi: janë superfuqi. Në vendet ku jetojnë. Dhe për familjet e tyre në Kosovë.

Vet Kosova, s’don, s’din, s’mundet të merret me ta. Dhe kjo jo vetëm pse Kosova nuk e ka një Ed por edhe për shkakun që edhe vet njerëzit e Kosovës që janë në perëndim s’kanë aq besim që mund ta kalojnë lehtësisht një komunikim institucional me Qeverinë dhe Qeveritë në Prishtinë. S’kanë faj. Kryetar shteti është Hashimi. Ky vet ka jetuar në perëndim, Zvicër. Dhe ky vet o s’ia ka idenë për zhvillimin e zgjerimin e Kosovo-Albaner-ave në vendet gjermanike o s’mundet a s’don ta pranojë këtë katapultim, për të, të frikshëm, për Kosovën madhështor, të bijave e bijve të refugjatëve të viteve 90, vet ish-refugjatëve të viteve 90, pasardhësve të tyre të cilët edhe pas luftës e çlirimit të Kosovës vendosën të jetojnë në Europë. Kjo për Hashim Presidentin. Për Isën as që vlen të flitet. Ky edhe ashtu është i humbur në postin e tij. Të dyve në fakt nuk duhet marrë për seriozisht “Ministrinë për Diasporën” sepse kjo Ministri s’ka fuqi. Edhepse s’është gjë e keqe që ekziston, bile edhe përpiqet të bëjë diçka por fakt është: diaspora e Kosovës nuk është diasporë. Ajo është shumë më shumë se Diaspora. Është shumë më shumë se Kosova. Është diçka që Prishtina ende s’e ka kuptuar dhe kështu si është- s’do ta kuptojë kurrë. Potencialin. Fuqinë. Masën. Shtrirjen. Të qenmit (qytetarë) europianë.

Dhe tani vjen kryesoreja: diaspora shqiptare e Shqipërisë, diaspora shqiptare e Kosovës por edhe Maqedonisë, Malësisë së Malit të Zi, Luginës së Preshevës nuk ka nevojë as për vajtime as për titirambe. Ajo ka nevojë që t’i sheh atdhetë si veten: pjesë të civilizimit perëndimor, europian. Duke parë që Shqipëria është larg, Kosova nuk është kërkah, Maqedonia e viset tjera janë të përçara do të ishte ndoshta me vend që këta njerëz tanë vetëm të dëgjohen njëherë… e pastaj të flitet me ta si mund të ndihmohet. Diaspora nuk është e frustruar. Ajo është e pikëlluar. Që s’po sheh dritë në tunelin shqiptar të mosdijes e injorancës, krimit e korrupsionit politik dhe jo vetëm, në Ballkan.

Koha e fundit ta thërrasim kujtesën: kurrë s’kanë mundur të bëjnë diçka shqiptarët në Ballkan pa diasporën e tyre. Kurrë shqiptaria nuk do të bie në binarë (këso radhe jo të lirisë sa ata institucional) pa e marrë edhe diaspora rolin e saj!