Tag Archives: ditar

09/03

Nuk ka asgjë në këtë botë që mbetet përjetësisht.

Përpos botës… ujit, ajërit, dheut, pemët, malet, fushat, detërat… nganjëherë kafshët e shpezët dhe… njeriut!…

24/02

E premte.

Para fundjavës së fundit të Shkurtit. Viti 2017.

Rruga më e mirë për ta mbajtur fjalën… është që të mos e japësh atë! (Bonaparte)

 

16/02

Të kthehesh në vendin e njëmijë e një fytyrave dhe njëmijë e një rrëfimeve… dhe të mos e takosh as edhe një fytyrë të vetme, as edhe një rrëfim të vetëm.

Janë vetëm kujtimet, kujtimet dhe kujtimet… që mbushin zbraztësinë në shpirt.

Si mund të ndërtohet dhe (ri)kthehet krejt ajo botë pjesë e së cilës ke qenë dhe më nuk je sepse nuk don të jesh.

Pyetje pa përgjigje.

Pyetje që mund ta ketë vetëm një përgjigje: duke e rrëfyer atë!

15/02

Mes dimrit e pranverës dmth. të jesh paradite në pranverë dhe pasdite pritshmërisht të kthehesh në dimër.

Gri e diell në qiell, në shpirt, në kujtime.. dhe kitsch!

12/02

1.

Dhe papritmas çelet fronti i vizave.

Kosova e poshtëruar dhe mjerë. Kosova e cila e ka humbur frymën e fundit të shpirtit dhe lirisë, jetës dhe shpresës.

Një të dielë zgjohet dhe e sheh veten ashtu siç edhe është: e strukur dhe frikësuar.

Pastaj hedhet në eterin e gjetjes së shkaqeve pse qytetarët e saj s’mund të lëvizin të lirë si krejt qytetarët, shtetasit e Europës. Dhe jo vetëm.

Shkasi:dy shtetas të kësaj Kosove, pjesëtarë të shoqërisë civile s’kanë marrë viza për dy aktivitete kulturore.

2.

Kur ua thosha… Do të më duheshin dy deri në tre minuta të hyj në këtë arkiv dhe t’i gjej krejt tekstet e fillimvitit të kaluar kur u thosha: Isa dhe Hashimi, Hashimi dhe Isa… po u gënjejnë se sivjet s’ka viza për qytetarët e Kosovës. “Sivjet” ishte viti 2016. Për vitin 2015 s’po flas fare… Për më herët jo se jo!

Nuk isha i vetmi.

Por, isha nga të paktët, shumë të paktët që e dinte dhe thoshte atë që edhe këta e dinin por s’donin ta thoshin.

Dhe kjo dijeni nuk vinte as si pasojë e  “informatave” prej shoferave të ambasadave të Prishtinës as “miqve” të “huaj”… por thjesht nga kollazhi i krejt të këqijave që Kosova po i bënte vetes prejse në krye të saj u kthyen dy partitë e mëdha (PDK+LDK) të cilat në fillimin e tyre të ri nga Dhjetori i 2014 filluan fundosjen përfundimtare të Kosovës.

Është fundosje sepse prej kësaj Qeverie, i pëlequ Isës a jo, s’pat dhe s’ka asnjë të mirë. Pos fshirjes së borxheve për qytetarët (punë të cilën Isa do ta kishte bërë edhe vet më mirë sesa sozia e tij Avdullahu) Qeveria e Koalicionit PDK+LDK nga Kosova i hodhi në azil 7/80.000 njerëz- mes tyre edhe familjarë të Kryeministrit e Zv/kryeministrave, Kushërinjë e bashkëfshatarë të së paku katër Ministrave, Kryetarëve të degëve të PDK e LDK në krejt Kosovën.  “Azilkërkuesit” nga Kosova që nuk ikën as nga lufta as nga përndjekja politike ikën edhe nga lufta edhe nga përndjekja politike. E klasave politike të korruptuara prej pas luftës të cilat u kanë mbyllur derën edhe familjarëve të tyre vetëm e vetëm që vet të prehen në gjiun e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tani: një vend që i thonë Kosovë që Gjermanisë e Francës ia dhuron 7/80.000 në vitin e krizës më të madhe të refugjatëve të luftës… të shpresojë për liberalizim vizash, kjo po që është çmendi.

Ashtu siç është më shumë se pafytyrësi kur popullit provohet t’i shiten fajtorët për këtë dështim gjigand.

Mos u besoni kurrë që Demarkacioni e Asociacioni janë parakushte për liberalizim të vizave.

Mos u besoni sepse po ju gënjejnë dhe duan ta fshehin dështimin e tyre. Dështim që kap një periudhë kohore prej 27 vitesh LDK e 17 vitesh PDK!

Mos u besoni sepse çdo gjë që ka të bëjë me liberalizimin e vizave lidhet para së gjithash me luftimin e korrupsionit në njërën anë dhe frikën e arsyeshme të Holandës (në Mars), Francës (në Prill) dhe Gjermanisë (në Shtator) që gjysma e Kosovës do t’ia mësyejë Europës- poqese do t’i liberalizohen vizat.

Mos u besoni sepse si këto tre shtetet e lartpërmendura ashtu edhe krejt tjerat të Europës e dijnë mirë: ky popull i lodhur dhe poshtëruar duhet të bie aq shumë përtoke saqë duhet ta gjejë fuqinë të çohet (në këmbë) dhe të çlirohet nga kriminelët që e qeverisin në mënyrë që ta sheh shpresën së pari në vendin e vet! Dhe jo (me ikje në) Europë!

 

3.

Këtë fillimvit dua ta bëj edhe një prognozë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe kjo vjen pa kredi por edhe pa informata prej shoferave të ambasadave e “miqve” të huaj: shtetasit e Republikës së Kosovës nuk do të marrin liberalizimin e vizave me këtë Qeveri të drejtuar prej Isa Mustafës. As sot, as nesër as pasnesër. Sa më shpejt që e kuptojnë njerëzit e këtij vendi aq më mirë për ta!

 

 

11/02

E shtuna e cila të bën ta duash diellin që rrezon, të shpresosh në pranverën që po vjen (para kohe?) dhe të mendosh për atë sesi gjithë egërsia e kopshtit do të pastrohet… dhe len vendin gjelbërimit që do ta pushtojë.

Të gjitha këto ngjajnë këtë të shtunë në të cilën më duhet ta bëj edhe betejën me ethet e gripit të këtij dimri që po shporret… bashkë me gripin!

05/02

Nuk ka asgjë më të pamëshirshme sesa suadat (lexo: tiradat) që u bëhen artistëve shqiptarë pasi të kenë vdekur.

Kështu u ndjeva dy/tre herë kur futa kokën në atë botë të pështirë dhe shihja ato klithje e shpifje dhembjesh e piskamash për Dritëro Agollin.

Dhe nuk më shqitej nga mendja Ali Podrimja…

 

02/02

Luftë, luftë, luftë.

Në gazeta virtuale, televizorë, profile facebook-u, mejhane, restorante…

Ende nuk kam parë të ketë filluar një luftë në një vend e botë pa parë popull në rrugë, pa ndjerë gjakun që hipën në kokat e politikanëve apo shkrirjen e pushtetit në masa… Prandaj, s’po shoh askund luftë.

Por nëse “Lufta është babai i të gjitha gjërave, mbreti i çdo gjëje” (Herakliti), atëherë edhe Paqja do të duhej të jetë “Nëna e po çdo gjëje”.

Ajo pyetja (naive?): Më shumë e don babin apo mamin?

Pastaj përgjigja e çiltër (e fëmiut): Të dy njësoj!