Tag Archives: ditar

01/02

Shkurti i shkurtër.

Shkurti i gjatë.

Shkurti i përjetshëm.

I një dite që është edhe më e gjatë se njëmijë e një rrëfime, se njëmijë e një fytyra.

Me 1 Shkurt.

31/01

Dita e fundit e një muaji me politikë, dimër të egër, fjalë që merr dita dhe shlyen nata.

Nëse është muaji i parë i një viti letër lakmusi për atë si do të ecë një vit?

Nuk e din dhe nuk don ta dish.

Sepse kur të papriturat janë pritje ditore atëherë asgjë nuk mund të quhet e mirëqenë në këtë jetë dhe këtë botë.

Të dyja këto: jeta e bota (që të rrethojnë në realitet dhe përcjellin në virtualitet) do të jenë edhe më të shkurtëra… në Shkurt.

30/01

S’ka asgjë më të vlefshme në këtë jetë… sesa kur së paku njëherë në ditë, për një çast të vetëm ndalesh dhe frymon…  Dhe nuk shikon as para, as prapa, as djathtas, as majtas…

Ngjet diçka.

Qetësia është fuqia.

29/01

E diela e cila mund të përshkruhet me një fjalë, më së shumti dy fjalë.

E diela e cila me ajrin e zbutur sikur nxjerr kokat e njerëzve nga shallat dhe gëzofat e frikës për të shikuar anash nga acari dhe akulli./

E diela e cila në tavolinë, për darkë me ulë, me njerëz të cilët s’i kam parë qe vite e vite tëra dhe megjithatë seç ma jep një përshtypje që janë vetëm rrudhat e kohës ato që kanë prekur në lëkurat e secilit prej nesh- për t’u dukur më të moçëm… më të lëndueshëm.

Mbrëmje që disi mbetet.

Dhe i lihet kohës për të parë nëse ia kishte vlejtur gjatësia e kësaj dite, kësaj nate…

23/01

Kur ke kohën me të cilën duhet të bësh diçka, e din që duhet të bësh diçka dhe s’e din nga ta drejtosh. Ku të shkosh dhe si ta kalosh.

Me libër a tablet në dorë?

Me laps a fletore në prehër?

Me ekran kompjuteri para syve dhe lajme, lajme, lajme… që lëvizin me shpejtësi ajri.

Me këmbë që rrugëve të boshatisura të paradites e pasdites të hedhin trupin e trurin edhe aty ku ti nuk don. Edhepse duhet.

E hënë i thënçin!

22/01

06:10

Një e dielë kur e din çka don dhe nuk e din, ke frikë, nëse do të arrish të bësh atë që don.

Çmimi i fundjavës është gjithmonë ky: të papriturës të mos i jepësh shansin ta shkatërrojë të priturën.

 

18:54

Është Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi ai që në mesditë nga salla për gazetarë në Beograd përmes mediave të tij (dhe në Serbi nuk ka mbetur as edhe një medium me zë që ky nuk e kontrollon) ia kumton Isa Mustafës vendin dhe përbërjen e takimit të radhës (të martën në mbrëmje bashkë me Toma Grobarin dhe Hashimin).

Dhe derisa lajmi në fjalë merr dheun, Isa i lajmeve të mira, Isa i padurueshëm në plogështinë e tij e cila ia ka hequr edhe qimen e fundit të dikur zotnillëkut, merret me ca formulime banale për demarkacionin e asociacionin. Them banale sepse në krejt këtë Qeverisje të tij jo veç që çdo gjë po shkon aq keq dhe aq mbrapsht sa nuk e di ku e kanë fuqinë këta njerëz të durojnë gjithë këtë zymti e cila ua ka pllakosur edhe shpresat e fundit për ditë më të mira, për pak dritë në tunelin e mbushur me terr dëshpërimi Kosove.

Që Hashimi e Toma do të shkojnë në dialog flet për atë që këta të Prishtinës edhe njëherë do të bien pre e lojërave të këqia, lojërave dinake të “naprednjak”-ëve të Beogradit për nevojat e tyre.   Sepse kur njeriu vetëm sheh një kronologji të krejt dialogut dhe bisedimeve që Kosova ka patur me Serbinë në këto vite (30 Takime në nivel Kryeministror nga viti 2012)    atëherë nuk ka si të mos lind dyshimi/pyetja: për çfarë duhet të kenë folur tërë këto vite e këto takime? Dhe para së gjithash kujt i kanë i është dashur ky “maraton” i jo, zgjidhjes së çështjeve diskutabile sa nevojave për instrumentalizim të brendshëm të Kosovës në Serbi dhe Serbisë në Kosovë?

Janë një seri pyetjesh që sidomos para Hashimit dalin para këtij dialogu. Para këtij sepse është asimetria e jo rëndësia ajo që e bëri italianen t’i ftojë edhe presidentët.  Tekefundit e dijnë në Bruksel e Berlin që si Isa ashtu edhe Toma në atë takim janë vetëm figurantë që nuk do ta kenë kontinuitetin e vazhdimit të bisedimeve në fjalë. I pari nga pranvera nuk do të jetë më President i Serbisë dhe i dyti më së largu nga vjeshta do të jetë një pensionist në politikën e Prishtinës.

Hashimi pra, në cilësinë e Presidentit dhe me të edhe Isa në cilësinë e Kryeministrit duhet t’na e shpjegojnë pse po pranojnë të ulen në tavolinë me urdhërdhënësit e ndërtimit të murit, arrestimit të Ramushit, nisjes së trenit për Mitrovicë, planifikimit të formimit ilegal të Asociacionit.

Cila është nevoja dhe para së gjithash rëndësia që ky dialog të vazhdojë kur në fakt çdo gjë është dialoguar me Beogradin ka shkuar vetëm në favor të Beogradit dhe dëm të Prishtinës?

Para së gjithash, a janë të vetëdijshëm Hashimi në cilësinë e Presidentit dhe Isa në të Kryeministrit që shkuarja e tyre në Bruksel këto ditë dhe këto çaste nuk paraqet gjë tjetër veçse një truk të ri, një kurth të radhës, që krerët e shtetit të brishtë të Kosovës po i bëjnë popullit të tyre i cili edhe ashtu vazhdon ta ndjejë pasigurinë e rikonfigurimit të ri të planetit pas zgjedhjes së Presidentit të Amerikës, lidhjes së Aleancave të reja globale, rreziqeve të përkrahjeve tjera që mund të ngjajnë etj.etj.

Them se vajtja e tyre në Bruksel përbën më shumë se lëndim për Kosovën. Ky hap është shprehje dhe rikonfirmim i budallallëkut të tyre politik. Hashimit për të qëndruar në trendin e mbijetesës në diplomacinë e krizave para mundësisë së një aktakuze të mundshme nga Gjykata Speciale. Isës për t’i shërbyer këtij sepse e din që ditët i ka të numëruara në postin e tij të Kryeministrit.

Por ja që do e bëjnë sepse nuk ka kush t’i ndalojë.  As shkronja e aq më pak dashuria për atë Kosovë të këputur që e kanë thyer në kurriz me korrupsion, krim, varfëri, izolim, pashpresë e katandisje që nuk ia gjen shoqen në Kontinent.

Prandaj edhe fshehen si strucat dhe e lënë Vuçiqin të tregojë edhe për takimin edhe për temat e takimit.  Për rezultatet po se po.

Kjo është Kosova.

Me një Kryeministër të kapur nga “partneri”.  Me një President që jeton në ankth nga frika e Aktakuzës së speciales.  Dhe me një dialog i cili nuk ka si të mos pranohet që po udhëheqet nga një Beograd dhe Vuçiqi i cili këtë vend po e shkel kur e si po don!

Kosova e fillimvitit 2017 është më e plogështa në historinë e saj më të re.

 

19/01

Ajri i ftohtë i kësaj dite të edhe një daljeje të gjatë mbyt edhe kujtimet edhe bisedat, edhe ëndërrat edhe shpresat…

Sepse kjo është ditë… e çuditshme.

Dita e (para)fundit me një President të Amerikës i cili ishte: i zi, musliman (?… nëse e lexojmë Daniel Pipes) dhe demokrat.

Për herë të parë në historinë e këtij shteti, kësaj perandorie moderne.

Dita e parë me një President të Amerikës i cili këto zgjedhje i fitoi me Twitter, Facebook dhe @… kundër pothuajse të të gjitha mediave të vendit të tij… e botës së tërë.

Të gjitha këto do të ngjajnë nesër.

Do të jetë një ditë e premte… së cilës vetëm edhe data 13 po i mungon!

 

17/01

I.

Vazhdoj t’i qëndroj mendimit që e shënoja në fundjavë se Treni nuk ishte as punë provokimi as punë Putini (e Trumpi).

Ose edhe mund të jetë.

Por shumë më tepër, tërë ky teatër ishte dhe është për zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Për këtë më bind edhe Vesna Pešić në Peščanik.

II.

Dimër. Jo i egër dhe jo i pazakonshëm. Por për këtë si gjithmonë i çuditshëm sepse janë variacionet e ftohtësisë së ajrit që mbërthen trupin & trurin dhe e katapulton atë në ikjen permanente të kërkimit të ngrohtësisë…

Është ende herët për lodhjen prej borës, acarit… dhe ëndërrës për ditë më të ngrohta.

Si zakonisht në mes dhe sidomos të fundit, trupi & stimulojnë shqisat e imagjinatës dhe protestës kundër natyrës e cila duhet të riciklojë fronte ngrotësie…

III.

Dikush ka thënë apo shkruar: “Posa ta vëresh që je duke u rrotulluar brenda rrethit, është koha, që të dalësh nga vallja”!

16/01

16.01.2017

05:43

Fillim dite me borë prej disa centimetra. Nga dritarja e kuzhinës shoh kopshtin e veshur me bardhësi e cila dalngadalë duhet ta mund këtë terr. Nëse do t’i qëndrojë fuqisë së dritës dhe ngritjes së temperaturave- mbetet të shihet. Përmes kësaj dite… gjatë tërë javës.

Lajme, lajme, lajme.

Kai Diekmann ka bërë intervistën e parë të madhe të një gjermani në emër të Bild me Trump. Dhe s’ka si të mos jetë ndryshe pos pyetje së parë sesi ai (Trump) e ndjen veten për faktin që gjyshin e kishte gjerman…

Vuçiqi don t’i paqtojë serbët për trenin duke u thënë që serbët nuk duan më luftëra. Shumë më shumë më intereson sesi ka qeshur në pyetjen nëse do të kandidohet për President të Serbisë. (I rrij tezës që e tërë zhurma me Kosovën atij i duhet për karrigën e Tomës).

Dhe po: Walkeri, ende s’e thotë pse s’i flet Hashim Thaçit… Por çuditem pse askush s’e pyet pse nuk rrin më me këta të VV!-së…

Lajme, lajme, lajme…

Të cilat pas disa orësh do vjetrohen.

 

16.01.2017

20:07

Trump, Trump, Trump.

Një e treta gjermani dhe poaq skocezi (britaniku) por para së gjithash amerikani- Donald Trump sot foli për herë të parë foli për Bild-in e Berlinit dhe The Times-in e Londrës… dhe tha gjithë atë që askush s’e kishte pritur që do ta thoshte edhe tashti, vetëm 3 ditë para zgjedhjes zyrtare: që Brexit-i është gjë e mirë për Britaninë, që Merkel ka bërë një gabim fatal me refugjatët, që BE-ja është veç për të mirën e Gjermanisë, që NATO ka dalë mode, që me Putinin do të punojë… që e që…

Dhe kjo po që shokon.

Ose siç Berthold Kohlerkomentin  që qysh në mbrëmje lexohet dhe nesër do del i shtypur shkruan: Rreziku Trump.

Shkurt, janë dy gjëra që me Trump dalngadalë dalin të jenë të qarta.

Ajo që NYT e ka shkruar: ata që më parë zgjedhnin Presidentin e Amerikës dhe askush nuk i shihte dhe njihte këso radhe kanë vendosur të ulen në karriget ekzekutive (Presidenti, Sekretari i Shtetit, Ministrja e Arsimit, Ministri i Shëndetësisë.

Dhe dy: Amerika me këtë kabinetin e Pasanikëve ka vendosur të jetë kundër Globalizimit.

Nëse dhe si këto dy fakte do kenë pasoja? Pa dyshim. Si… mbetet të shihet.

Pyes veten: nëse ky rrezik është për Europën dhe gjermanët…  atëherë, ballkanasve, ballkanasve kush do t’u ndihmojë?

Parë nga ky këndi i këtyre turbullirave serbe… askush nuk din asgjë.

Më së paku këta politikanët shqiptarë. Po pra politikanët sepse, mendimtarë e vizionarë… shqiptarët më nuk kanë! Liria ka edhe çmimin e gllabërimit të shitjes së shpirtit (të pavarur) për karriga, profesura, plagjiatura, poste…

Dhe sot janë aty ku ndoshta gjithmonë e kanë patur vendin: në ujërat e anonimitetit të rrjeteve vizive…

14/01

Paradite

Përjetësi apo përtaci?

Kjo është pyetja së cilës as një fundjavë s’mund t’i japë përgjgjen!

 

Mbrëmje

Të jetë zgjidhja (kur janë në pyetje përjetësia e përtacia) shpejtësia?

Mundet.

E dielë me vazhdimin e dytë të The Man in the High Castle me shëti buzë malit dhe me lajme, lajme, lajme për trenin që nga Beogradi u nis për në veri të Kosovës dhe u ndal aty ku e ka vendin. Në Rashkë. Për t’u kthyer sërish në Beograd.