Tag Archives: ditar

13/01

Është 13 dhe është e Premte. Ditë bestytnie. Ditë kur nëse rastësisht (me dashje) të ngjet diçka që nuk do të duhej të të ngjante duhet menjëherë ta lidhësh me numrin 13 dhe sidomos me të Premten.

Prandaj të rrish brenda, të mos lëvizësh, të mos komunikosh, të mos hakërrohesh…

Çasti kur duhet t’i flas vetes. Të provoj të vet)mashtrohem. Me shkronja që shërojnë. Mendjen. Trupin. Dhe para së gjithash trurin. Kur ndjen vetëm zhurmë tastiere dhe para syve nuk të dalin as trishtime mediatike as marrëzi politike.

Para syve më del Drita Shehi.

Drita Shehi për të cilën kurrë s’kam dëgjuar dhe s’e kam parë (edhepse mund të jetë aktore e njohur nga Shqipëria? Kosova? Maqedonia? Greqia?)…

Drita Shehi e cila kritikut të “Süddeutsche Zeitung” i thotë: “Më e vështira ishte që në fillim të gjithë qanim derisa mësonim tekstet. Por kjo është një diçka që shëron”….

Drita Shehi është njëra prej pesë grave më të suksesshme në një shfaqje teatrore që po luan në Europë. “Clean City” quhet kjo pjesë dhe pas Straßburgut e Lissbon-ës do të vazhdojë me rrugëtimin në Athinë, Metz, Bruksel, Lion, Basel… Rrëfimet e pesë pastrueseve nga Athina të cilat u shëndërruan/transferuan në shfaqje nga Prodromos Tsinikoris und Anestis Azas dhe flasin për globalizimin dhe vendlindjen, mallëngjimin dhe familjen, zhdukjen e klasës së mesme dhe ëndërrat, Europën dhe luftën për ekzistencë.  Ta shpjegojnë pesë pastruese krejt kohën në të cilën jetojmë? Nuk e di. Ajo që në këtë çast e di është që do të doja ta shoh këtë shfaqje pas këtij eseu të mrekullueshëm të Alex Rühle.

E edhe nëse nuk e shoh këtë shfaqje në një gjë jam i bindur: pesë pastruese mund ta shpjegojnë kohën që po e jetojmë shumë më mirë sesa pesë politikajë!

Është data 13 dhe është e Premte.

Dita e pesë pastrueseve!

 

 

12/01

E enjte politike.  Fund e krye.

Nga  lajmi për “boom”-in e ekonomisë gjermane deri tek lirimi (me kusht) i Ramushit nga Gjykatësit e Colmarit në Francë.

Nga krejt teoritë e konspiracioneve për (edhe) këtë ndalesë që Ramushit iu bë vazhdoj të mendoj që duhet të jetë një banalitet i radhës: një polic kufitar idiot që ka një shef ndërrimi po idiot, shef stacioni kryeidiot… që duan të “zbatojnë” ligj për një “fletarrest”  të një shteti inekzistent (Serbia dhe Mali i Zi) dhe për aktakuza që tashmë kanë dalë të jenë të paqena (në procesin e Hagës).

(Vazhdoj të mendoj që faji është tek Qeveritë e Kosovës, tek Dialogjet e Kosovës me Beogradin. Sepse s’ka dialog pa u gjetur të pagjeturit dhe pa u mbyllur temat e shkëmbimit të të burgosurva dhe gjyqeve për krime lufte. Në të gjitha luftërat mes popujve e kombeve, çdo rinisje bisedimesh mes armiqve kjo temë është nisja e qartësimit…)

E paqartë, prandaj edhe misterioze mbetet shkuarja e Hashimit në  SHBA.

E edhepse prej atje, duket i vogël, duket i papeshë kur nga studio e Zërit të Amerikës bën lajmëtarin dhe hokatarin. Sepse s’e thotë shkakun e vërtetë të vajtjes: don të gjejë lobiistët e ri (jo për Kosovën sa për veten e tij). Sepse Podesta e Wisner mund të jenë çdo gjë, por jo edhe republikanë!

Përtej kësaj: kur përcjelli Ramushin sesi flet për mediat nga Strasbourg më kujtohet Augustini (Palokaj). Dhe t-shirt e tij në Shkurtin e vitit 2008 ku shkruante “Edhe unë kam shtet”.

Që i bie: përkundër krejt këtij budallallëku të qëllimshëm a jo, edhe Ramushi ka shtet. Sepse kur shoh Konsullin e Kosovës (të cilin s’e kam takuar kurrë, s’e njoh) në Strasbourg- në gjykatë pranë Ramushit apo në bistro me Ramushin, ngado që një lider partie shkon atëherë vazhdoj të mendoj që Kosova është shtet. Që Kosova ka diplomatë.

Dhe i rri mendimit që e kam tash e sa vite: asnjë shtet në rajon nuk ka diplomatë më të zottë sesa që i ka Kosova nëpër botë. Qofshin ata të partive apo jo…

 

 

 

10/01

Lexoj për mbledhjen maratonike të Kuvendi të Kosovës për “rastin” e Ramushit.

Çka është Kuvendi i Kosovës?

Kuvendi i Kosovës nuk është gjë tjetër veçse pasqyra e Kosovës.

Në të janë gra e burra të cilët aty i ka dërguar (votuar?) populli për të përfaqësuar çdo interes të tyre.

Dhe ky përfaqësim, si zakonisht del të jetë ashtu siç edhe është: i vakët dhe mjerë, shëmtuar dhe banal.

Të jenë edhe votuesit (qytetarët) e Kosovës siç janë të dërguarit e tyre në Parlament?

Jo.

Njerëzit e Kosovës nuk janë si deputetët e tyre.

Por e kanë një problem: mungesën e moralit.

Kjo mungesë morali (jo etike sa besimi) i bën që të mos i besojnë votës së tyre, të mos i besojnë parlamnetarit të tyre… dhe me këtë edhe vendimit të tyre se kush do t’i përfaqësojë në Kuvend.

Prandaj edhe vjen deri tek tregtia që e quajnë shit/blerje e votës.

Pasojat e kësaj tregtie pastaj ndjehen dhe shihen në atë vend që i thonë Kuvend.

Kjo nxjerr sheshazi mungesën e vetëdijes se sa e rëndësishme është tradita dhe kultura demokratike.

Një vend i shtypur përjetësisht e ka zor të besojë në atë që i thonë demokraci parlamentare.

Do duhen edhe dekada derisa qytetari ta kuptojë se çka dmth. që vota nuk shitet e blehet. Por jepet si besim për shërbim.

Të dyja mungojnë në Kuvend. Edhe besimi edhe shërbimi.

 

09/01

Lexoj Astritin për, siç thotë “prangosurit” dhe kaluarën.  Nuk ka asgjë që mundet të del përtej asaj që është e përmbledhur në këtë tekst.  Është përtej imagjinatës të cilën secilën secili prej nesh e pret, din, njih dhe e ka parë a përjetuar. Tragjike (por edhe komike): do ngjet.

Dua të shkoj përtej kësaj teze për Kosovën dhe them që kanë mbetur vetëm edhe 11 Ditë derisa Donald T. të emërohet edhe legalisht President dhe them që vendet si Kosova (me probleme të mëdha!) do të ishin model interesant për vende shumë më të mëdha e zhvilluara për ta parë modelin sesi bëhet politika, udhëheqet shteti, zhvillohen lufërat (politike… dhe jo vetëm) … të gjitha përmes rrjeteve sociale. Nëse këta të Kosovës e Ballkanit në njërën anë dhe krejt botës si kjo e jona (vende në zhvillim) në anën tjetër sportin e rrjeteve sociale (Facebook-ut) e provojnë dhe na torturojnë tash e sa vite, këta të Amerikës e Europës më shumë me Twitter veç kanë nisur. Dhe do ta vazhdojnë.

Aq shumë do ta vazhdojnë saqë do të çuditen: edhe gazetat edhe televizorët, edhe opinionbërësit edhe kundërshtarët/simpatizantët.

Bile për diçka i shërbejmë dikujt si model.

Ky është vetëm fillimi dhe një dreq e din si do ta ketë mbarimin.

Deri atëherë vazhdoj ritualin e së martave. Me kultruat e revistave të kësaj bote. Një klikim dmth. një kulturë:

The Nation  , New York Review of Books, Neue Zürcher Zeitung, 168 ora, Zeit, epd Film, Times Literary Supplement, Merkur,
American Interest, Elet es Irodalom, New Yorker, La vie des idees, New York Times, FAZ

08/01

1.

Despoti dinakërisht iku në Amerikë, ose siç qatipët e tij e shkruan, në SHBA. SHBA-ja është e madhe, e pafundme, e përjetshme. Nuk e sheh të nevojshme të shpjegojë para popullit, qytetarëve, se ku ka shkuar, me kë do flet, çfarë e pret. S’ka llogaridhënie sepse s’lodhet për askënd, s’honeps qytetarin. Siç e bëjnë krejt despotët.

Për ta kuptuar se çfarë është Despoti, e thërras në ndihmë fjalorin Shqip-Shqip. Dhe fjalori na shpjegon shprehjen:

DESPOT m. sh.
1. hist. Sundimtar me pushtet absolut e të  pakufizuar (në monarkitë skllavopronare të  Lindjes së Lashtë); sundimtar feudal, në një
krahinë të caktuar, i cili varej nga mbreti a nga  perandori dhe nuk qeveriste në bazë të ligjeve,  por vepronte në mënyrë arbitrare pa përfillur fare  dëshirat e vullnetin e popullit; titull i lartë në  hierarkinë feudale; tiran.

 

2.

Ekzistojnë tre teori pse Ramushi u ndalua në Francë.

E para: që në kufi ishte një polic tutkun, polic të të cilit posa kompjuteri i dha shenjën që Ramushi ishte në listën e Interpolit- u ndalua nga ky polic i cili rastin në fjalë ia tregoi shefit të tij. Shefi i tij, që del të jetë edhe më tutkun, menjëherë ngjall alarmin dhe e “bllokon” edhe pasaportën edhe pasagjerin. E tëra pastaj dihet. Sidomos për Despotin i cili e din që tërë kjo procedurë do t’i kushtojë, do ta dëmtojë, do ta vendosë në dritë të keqe.

E dyta: që kompjuteri në fjalë ishte veç kurthi për ta ndalur ca ditë Ramushin- në mënyrë që kur ky të kthehet në atdheun e tij të jetë në një pozitë ku mund ta luajë një lojtar faktorizues në skenën e shkallmuar politike të Prishtinës. Njëherë fuqia që i jep Franca dhe pastaj udhëtimi për Amerikë- të padurueshme për Despotin. Prandaj ikja e tij në Amerikë- tek Vlora e cila prejse Hillary humbi zgjedhjet vrapon sa te Fadil Berisha aq tek Bob Doll. Më shumë s’u ka mbetur.

E treta: Despoti përnjëmend ka nxjerr Nokian e tij të moçme nga arka e shërbimeve të dikurshme dhe i ka telefonuar shefat e tij. T’ia bëjnë një shërbim: ndalimin e Ramushit në Francë në mënyrë që ky ta ketë të pamundur të shkojë, jo në SHBA por në Washington.

Në të tre rastet, Despoti del të jetë akter në këtë ngjarje makabre të fillimjanarit të vitit 2017.

Dramë politike.

Burleskë ballkanike.

Tragjikomedi shqiptare.

 

06/01

Lexoj poshtë e lartë për Ramushin.

Të gjithë pa dallim partie e Qeverie, edhe ata që e duan edhe ata që s’e durojnë vet Rambon- unisono- janë të mendimit që është gabim, lëshim, budallëllëk, marrëzi, poshtërsi, idioti e çka jo tjetër ajo që francezët kanë bërë.

Pastaj vijojnë kritikat: për Serbinë dhe serbët, ndërkombëtarët dhe Brukselin e dialogun, pak Qeverinë dhe fare në fund, mbyllin tekstet.  Vetëtimthi më shkrepin dy a tre gjëra në mendje: si u bë që pas arrestimit që ia bënë sllovenët- Hashimi, Isa, Edita & co. s’e denjuan ta hapin këtë temë me atë gruan e Italisë në Bruksel? S’e denjuan sepse s’i kanë hapur temat e varreve të më shumë se 1000 shqiptarëve të zhdukur e lëre më të fletarresteve të cilat, vazhdoj të mendoj, janë punë kompjuterësh… Vetëtimthi më shkon në mend pokështu: bile për një gjë bujtina që Colmar i Elsass-it të Francës iu bë Ramushit ia ndali Toma Nikoliqit të kalonte “Badnje veče” në Kosovë!   Se, poqese nuk do të ndalej i pari në Francë i dyti, si të gjithë të tjerët, jo vetëm që do të vinte në Kosovë për ta kaluar natën por të nesërmen me fytyrë të enjtur prej Šljivovice, do t’ua kishte çuar do selame edhe serbëve në Beograd dhe sidomos shqiptarëve në Kosovë.

Një risi në tërë këtë tam-tam publicistik është që duket një angazhim i pazakonshëm (lexo: jashtëzakonshëm) i Tiranës me arrestimin e Ramushit. Aq sa e tëra filloi të merr përmasa bizariteti partiak (Luli versus Edi).

Por ajo që trishton me Tiranën politike e publicstike është që ende s’po e gjejnë ta zërojnë atë që qoftë në zyra ashtu edhe kafene ia thonë njëri- tjetrit: si është e mundur që Kosovën e shkallmuar përtoke vazhdon që ta sjell në gisht Hashimi. Me paaftësinë dhe djallëzinë së cilës ditë e natë tash 17 vjet ia ndjejnë pasojat 2 milion të burgosurit e tij. Dihet se në Shqipëri e kanë zor, e kanë të pamundshme- ta deshifrojnë artin e tij të mbajtjes së pushtetit- sepse ia njohin “limitet” dhe limitet- kur u shkruan (mesazhe), kur lexon (fjalime), kur bashkëbisedon (privatisht) .   Ndjenja e tyre për Hashimin është e dyzuar sepse e kalon dinakërinë e një Nano-je, pabesinë e një Mete, çmendurinë e një Doktori, delirin e një Edi.  Ajo që ndoshta s’e dijnë për Hashimin është që ky ka prej të gjitha këtyre ngapak por më vete e ka edhe dellin e politikbërjes bizante,  sllave.  Prandaj Hashimi e ka Serbinë në lojë. Pa  serbët në lojë, Hashimi do të kishte shkuar kaherë prej skenës së Prishtinës. Përmes kartës serbe ai ka siguruar krejt mbijetesën (me ndërkombëtarët) të cilët psh. Edi i shante aq keq në editorialin e tij. Por ajo që edhe Edi e din që ndërkombëtarët, përfshirë edhe Gjykatën Speciale, janë Hashimi. Dhe nuk janë Ramushi.

Këtij bile- pas shkëputjes prej 8 vitesh i janë dashur nja 3 vite të mira derisa ka “mbërritur” në Tiranën e re politike e publicistike. Prandaj Tirana e përjeton, ndjen, pranon Ramushin më ndryshe se Hashimin.

Dhe kjo këtë të fundit e çmend.

Dhe gëzon që Ramushi këto netë po i kalon në Elass. Dhe më së shumti frikëson. Sepse këso radhe s’do ta ketë shansin e shtruarjes së tepihut të kuq…

 

04/01

Hapat mbi borën e shkriftë janë si një krisje e paqëndrueshme.

Shkelje mbi kujtime.

Shporrje e qoftëlargëve që të dalin para syve- edhe kur flet me njerëz, kur i përshëndet, kur të tregojnë diçka, kur përpiqesh të jesh kurioz, kur mendon të rrekesh në rrjedhën e rrëfimeve të tyre.

Deri në terr të natës duhet ta durosh një situatë e cila në të gjitha format e mundshme dhe pamundshme përsëritet si një ditë më parë. Si një vit më parë.

Dhe sërish nuk është e njejta.

Sepse ke bërë edhe një lëvizje.

Brenda rrethit të pamundësisë së daljes prej tij.

E frikshme.

03/01

Duhet të përshtatësh bioritmin me ritmin e shkrimit.

Duhet të koncentrohesh deri në eternitet.

Duhet të mos e ndjesh rrëshqitjen e lapsit derisa bën shkronjat.

(Dhe para se t’i bësh shkronjat duhet ta dish fare mirë se në cilën gjuhë don ta lëshosh rrjedhën e trurit- këtij ende misteri më të madh se edhe vet kanceri!)

Duhet t’i duash gishtërinjtë nëse ke vendosur të shtypësh mbi tastjerë.

Duhet të vendosësh nëse don t’i lexosh shënimet e një viti që ka ikur- para, gjatë a pas “rrëshiqtjes” a “shtypjes”?

Dhe para së gjithash Duhet ta prekësh “butonin” e aktivizimit të shpirtit e mëpas trurit.

Duhet

Duhet

Duhet

Asgjë nuk Duhet

Derisa s’e din, s’don, s’mundesh ta dish a ndjesh që Duhet.

 

02/01

02/02.2017.

Bora e parë që ka mbuluar këtë tokë, asfalt, trotuar, makinat, tramvajët, trenat, kulmet e shtëpive e ndërtesave me shkëlqimet e zbehta të poçeve sikur duan t’i ikin dritës së kësaj dite e cila, u pëlqeu apo jo llambave të neonit, dalngadalë e pushton këtë nënqiellin e këtij vendi.

Hapat janë sikur të fundjavës së kaluar.  Hapa dhe kohë e njejtë në agimin e numrave të tjerë.

Tek fytyrat e njohura të të panjohurve që sheh pothuajse çdo ditë është e zorshme, e pamundshme, të dihet nëse ndjehet lehtësim a mundim pse kjo është një ditë pune. Ditë pune e cila nuk dallon nga kohërat e tjera nën perëndinë e pushtetit të numrave të kaluar.

Tërë ditën nuk mund ta shkoq nga mendja nëse jam njeriu i vetëm që don t’u rezistojë këtyre numrave të cilët na e bëjnë jetën.

Përmes kalendarit. Ditëve, javëve, muajve, viteve, dekadave, shekujve..

Dhe algoritmave të tyre. Që tash na e bëjnë edhe komunikimin (internetin?).

Jeta. Qielli. Moti. Terri dhe Agu.

Athua si duhe të kenë qenë para 220 vjetësh?

Apo 2200 vjetësh?

Apo 22.000 vjetësh?

Vetëm pamundësia e kapjes me ato kohëra e nxjerr sheshi pafuqinë e aritmetikës së numrave me përballimin e jetës. Dhe përshkrimit të saj.

Vetëm shtruarja e kësaj pyetjeje (përmes numrave) shtron dilemën që dikush dikund po punon që përmes projektimit të së ardhmes (arimtmetike) të mos na fshijë as të shkuarën.

Nëse në të ardhmen kjo e tashmja jonë  e cila do të jetë e shkuarë do të jetë e memorizuar?

Pyetje që i bëj vetes me 02/01/2016.

Thënë edhe më thjesht: mund të jetë që do të jenë numrat ata që do ta kenë fuqinë të mundin gjithë mundin njerëzor të memorizuar tash mijëra vjet përmes fjalës (së shkruar- në art e shkencë)?