Edhe një ditë mbyllet ky vit.
Dhe nuk dua shoh prapa sepse më kap i trishti kur shoh sesi vitin që vjen ditët e netët do të shfaqen në forma stuhish që zor se shqiptarët do t’i përballojnë.
Edhe një ditë mbyllet ky vit.
Dhe nuk dua shoh prapa sepse më kap i trishti kur shoh sesi vitin që vjen ditët e netët do të shfaqen në forma stuhish që zor se shqiptarët do t’i përballojnë.
Një koleg i çmuar dhe mik i dashur në pranverën e vonë të vitit që po shkon më thoshte që të mos merrem më me këtë temën e vizave për qytetarët e Kosovës sepse ajo punë është kryer. “Kryer” në kuptimin që në pyetje ishin vetëm disa formalitete. I thoshja, jo me gëzim sa me dhembje, që s’ka viza. Sepse Kosova ka detyra tjera për të kryer. Fatura e Isës Kryeministër dhe Hashimit President është izolimi i mëtejshëm i 2 milion njerëzve. Borxhi i koalicionit PDK-LDK është Gjykata Speciale. Saldoja e mosrrëzimit të kësaj Qeverie të LDK-së (qe 26 vjet) dhe PDK-së (qe 17 vjet) do të shfaqet edhe vitin që vjen me krejt kthetrat prej monstre që shprehet në fytyrat e palumtura të rinisë, rrudhat e parakohshme të burrërisë dhe budallallëqeve të politikës.
Këtij të Prishtinës (Hashimit) e atij të Tiranës (Edit) që për herë të parë në histori(në e re) shqiptarët i mbërthyen në një qorrokak të ri: atë të ftohjes së marrëdhënieve me Amerikën dhe Washingtonin.
Këtij të Prishtinës (Hashimit) i cili, i izoluar siç ka mbetur mes Burojës e Prishtinës s’ka si të mos merr mundin dhe shkojë e përkulet në oborrin e sulltan Erdoganit të të cilit krejt bota normale, krejt oksidenti i rrin aq larg.
Atij të Tiranës (Edit), i cili derisa provon të shesë fitore ka pësuar dy disfata të mëdha, sepse janë artistiko- historike. Artistike: kur kishte shpresuar që në galerinë e Zonjës Marian Goodman me 11 Nëntor do t’i shkonte edhe Presidentja e zgjedhur dhe mikja e tij, Hillary Clinton. Doli që Clinton humbi keq. Historike: kur me 28 Nëntor nga Berlini bashkë me Zonjën Merkel shqiptarëve do t’ua kumtonte lajmin për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Doli që Merkel e lavdëroi Edin për guximin që ka të përballet me kriminelët që i ka rreth tij në politikë. Por negociatat nuk ia dha.
Për ta sjellur në pikë: kombi shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë… s’e ka vizionarin (njejës a shumës) që i tregon se nëse vazhdon avazi i vitit që shkoi bashkë me vitet tjera, do ta ketë të pamundur të ndjehet dhe bëhet pjesë e oksidentetit. Sepse haraçet e luftërave për liri duket ende bartin tribute të pamëshirshme.
Kosova me izolim e krim. Shqipëria me krim e pa dënim. Maqedonia me kaos. Këta janë shqiptarët e Ballkanit.
Dua ta kthej kokën prapa dhe shoh shtigjet. Shqiptare. Dhe ndjej që largimi është edhe ngashënjimi që dikujt e dikujt duhet t’i kem bërë. Për t’u zhdukur në hullinë e vetvetes e cila më ka dredhur në një jetë e cila sërish, s’i përket askujt. Nga vëzhgimi deri tek vulosja. Si një tren rajonal i cili ndalet në stacionet e caktuara vite e dekada me radhë. Për shekuj (ende) s’guxoj të flas. Sepse “dikujt e dikujt” s’janë, s’do jenë as fusnota.
Kjo edhe për faktin që shpresat janë shuar. Terri dhe tmerri në të cilin me trishtim i shoh të njohurit e miqtë, të afërmit e kolegët, vazhdon t’i rrethojë gjithandej në cepet e Ballkanit e Europës.
Janë kapërthurur aq keq sa nuk shoh as edhe një shtegdalje për ta. Dhe bashkëndjej me ta. Ditë e natë. Mëngjes e mbrëmjes.
Nuk e kam të qartë edhe sa do të durojnë kështu. Kanë respektin tim më të thellë për durimin që vazhdojnë ta tregojnë.
Apo ta kenë pse s’kanë ku shkojnë?
Edhe katër ditë përmbyllet 2016. Dhe fillon 2017.
Duhet të ketë qenë viti i parë i jetës në të cilin ditë për ditë kam shkruar, kam shkruar, kam shkruar. Pa e ditur se çfarë kam shkruar. Të shkruash dhe të mos dish se çfarë ke shkruar është sikur të futesh në pyll të madh e pa fund. Ajo që qetëson: fakti që e din se do jesh në këtë pyll tërë kohën pa patur as edhe një dëshirë të dish se në cilët shtigje duhet të kalosh për të parë fusha të gjelbëra, detëra të kaltra por edhe humnera të trishta, të bën të jetosh i qetë në ecjen e ngadalshme, ecjen e qetë, në vete e me vete, përgjatë qetësisë së brendshme e cila s’i përket askujt.
Veç vetes.
Poqese jeton në Europë… është vetëm një ditë e cila është absolutisht më e qeta e vitit: dita e parë e Krishtlindjeve.
Hapat në asfalt, ecja në mal, zhurma e aty këtushme në rrugë nga ndonjë makinë që habitet ta prish qetësinë… s’janë gjë veçse një shenjë që të kujton se ku jeton.
Hamendja që ma shkakton kolumna për Europën më lidhet veç te fjala frikë.
Edhe më e madhe kjo frikë është pse teksti duhet të botohet në prag të ndërrimit të motmoteve.
Shoh veten në verë. Pranë, fare pranë Gedächtnis Kirche në Berlin.
Dhe shoh imazhet të cilat të martën në mbrëmje në Tregun e Krishtlindjeve duhet të kenë qenë aq të tmerrshme… Kur Kamioni i tërbuar me shoferin e çmendur mësyen drejt turmës së njerëzve.
Ec e mos e humb çdo shpresë për ratio-n e shëndoshë, ratio-n normale të qenies që i thonë njeri.
Është mëngjes i hershëm i kësaj dite të çuditshme e cila fillon pas një nate të gjatë me terror, terror, terror. Vdekje, vdekje, vdekje.
Në Ankara, në Zürich, në Berlin.
Jeta në prag të festave të fundvitit i frikësohet sulmit të papritur.
Njerëzimi në zgripsin e pasigurisë…
Fillim jave në vendin e ish njëmijë e një fytyrave dhe njëmijë e një rrëfimeve.
Çdo gjë është redukatuar.
Çdo gjë është kondenzuar.
Çdo gjë është më ndryshe.
Kanë mbetur vetëm kujtimet.
Education is the most powerful weapon which you can use to change the world.
Nelson Mandela