Tag Archives: ditar

30 Nëntor

Festat e fundnëntorit janë si fundi i një jete… kur për një e të vetmin çast provon të kujtosh çdo gjë që ke parë e përjetuar në fëmijëri, rini, jetë…

Pastaj pyet veten: pse?

Dhe derisa e mendon përgjigjen harron se çfarë e pyete vetveten!

25 Nëntor

Fundjavë e filluar qysh të premten.

Ditë kur nuk ke fuqi ta mbarosh javën sepse sheh rreth teje që vrapohet, vrapohet, vrapohet.

Kush t’i ketë shpikur krejt këto ditë pune e ditë pushimi?

Kalendarin dhe kalendarët?

21 Nëntor

Disa sekonda.

Janë vetëm disa sekonda që ndihmojnë të mendohet për krejt mundimet e kota.

Dhe si rrjedhojë vuajtjet të cilat s’kanë si të mos shihen dhe para së gjithash ndjehen me një tis- o hidhërimi a tërbimi o gëzimi… për çdo gjë që ke parë dhe ndjerë: për një çast, një ditë, një jetë!

Disa sekonda.

8 Nëntor

Një ditë e gjatë… dhe natë e pafundme.

Njëherë në çdo katër vjet kur duhet thjesht të dëgjosh anglisht e shikosh anglisht. Anglishten amerikane.

Kur radhët e pafundme të dhjetëra amerikanëve mësyejnë drejt vendvotimeve për të zgjedhur të parin e tyre dhe deshëm e s’deshëm, na pëlqeu e s’na pëlqeu, të parin e botës.

Këso radhe kandidatët janë të çuditshëm: sepse fjala është për një të parë të botës të mundshme dhe një të parë edhe më të çuditshëm.

Hillary apo Donald… kjo është pyetja?!

7 Nëntor

Sa herë që Amerika kalon nëpër tërmete politike janë vetëm dy gjëra që më shkojnë në kokë:

Amerika e Franz Kafkës

dhe

Amerika… a do të jetë kjo perandoria e fundit e civilizimit perëndimor?

 

1 Nëntor

Pushimi që i thonë pushim sepse nuk është pushim.

Të jetosh në një vend ku të gjithë rreth teje punojnë kurse ti nuk punon dmth. të ndjehesh i rrethuar nga ujëra të cilat nuk e dijnë se çfarë kanë matanë…

31 Tetor

Nuk ka asgjë më të parëndësishme sesa t’u kushtohet rëndësi gjërave të cilat nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me jetën tënde.

Jetë e jotja dmth: ti, familja, rrethi, miqtë… e nëse nuk i ke krejt këto atëherë provo ta gjesh së paku veten tënde.

Parakushti për të parë parëndësinë e çdo gjëje që s’ka të bëjë me ty!